MPB mbajti punëtorinë për fuqizimin e rolit të gruas në sistem Ministror të Punëve të Brendshme

Prishtinë

Ministria e Punëve të Brendshme, ka organizuar një punëtori për fuqizimin e gruas në sistemin e saj ministror, me theks në Sektorin e Sigurisë dhe atë të Administratës Publike.

Punëtorinë e hapi Ministri i Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla, i cili theksoi se Qeveria e Kosovës e ka shpallur vitin 2025, si vitin e grave dhe me këtë qëllim, Ministria  e Punëve Brendshme, në bashkëpunim me të gjitha Agjencitë Ekzekutive, departamentet dhe sektorët përkatës, do të punojnë me vizion të qartë për të garantuar barazinë dhe avancimin e grave në pozita brenda institucioneve të sigurisë.

Ministri Sveçla  vuri në dukje se kjo është punëtoria e parë për hartimin e planeve dhe hapave konkret që do të sigurojnë fuqizimin e grave në institucionet e sigurisë.

“Këto plane synojnë krijimin e mundësive të reja dhe të shumta për vajzat dhe gratë e vendit tonë, duke promovuar një angazhim aktiv dhe të barabartë, pa diskriminim apo paragjykime”, theksoi ministri Sveçla.

 

Ai theksoi se sektori i sigurisë dhe sektoret tjera që mbulon nga ministria janë jetike për Republikën e Kosovës, prandaj përmes mbështetjes të pakushtëzuar, do të sigurohet që gratë dhe vajzat të jenë pjesë aktive e vendimmarrjes dhe garanci për sigurinë, paqen dhe stabilitetin e vendit.

 

Zyrtarë të ministrisë dhe agjencive të ndarë sipas grupeve tematike, diskutuan dhe identifikuan hapat konkret për hartimin e planit që adreson përfshirjen e grave në sistemin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, krijimin e mjedisit të favorshëm të punës, zhvillimin profesional, promovimin dhe vetëdijesimin, si mekanizmat për monitorimin e këtij plani.