
Diplomoi gjenerata e 61 e Policisë së Kosovës
Prishtinë
Më poshtë gjeni të plotë fjalimin e ministrit të MPB-së, z. Xhelal Sveçla:
E nderuar Presidente e Republikës së Kosovës znj. Vjosa Osmani Sadriu,
I nderuar Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës z. Gazmend Hoxha,
Të nderuar ambasadorë, përfaqësues të korit diplomatik dhe misioneve ndërkombëtare,
Të nderuar eprorë të Policisë së Kosovës, instruktorë dhe zyrtarë policor,
Të dashur kadetë e familjarë,
Jam shumë i lumtur e krenar që ndodhem sot këtu, për të shënuar një hap tejet të rëndësishëm për Policinë e Kosovës dhe për mbarë Republikën tonë.
Nga sot, me rastin e diplomimit të djemve e vajzave tona të gjeneratës së 61-të, Policia e Kosovës do të jetë edhe më e fortë e Republika jonë edhe më e sigurt.
Falë punës së pandalshme e profesionale të Policisë sonë, Republika e Kosovës sot renditet e para në Ballkanin Perëndimor për sundim të rendit e ligjit sipas Projektit Botëror për Drejtësi dhe sipas Transparency International, Kosova është duke bërë progres të jashtëzakonshëm në luftën kundër korrupsionit.
Si rezultat i efikasitetit të vajzave dhe djemve tanë në detyrë, Kosova sot renditet e 12-ta në botë për ndjenjën e lartë të sigurisë së qytetarëve sipas Gallup.
E kur jemi tek qytetarët dhe shoqëria jonë, Policia e Kosovës ndër vite ka arritur të fuqizojë lidhjen e saj me ta dhe falë kësaj, ajo vitin e fundit vlerësohet si institucioni më i besueshëm në vendin tonë. Ky besim kolektiv në Policinë e Kosovës është më i vlefshmi e për të cilin ne dhe Policia duhet të punojmë fort për ta ruajtur.
Të dashur kadetë që nga sot e merrni titullin e zyrtarëve policor,
Nga sot ju jeni pjesë e një organizate shumë të madhe, të aftë, profesionale e të besueshme që është në çdo kohë në shërbim të të gjithë qytetarëve e në mbrojtje të të drejtave, lirive e pronës së tyre.
Përgjatë këtij rrugëtimi do të takoni e ndani përvoja me kolegët e eprorët tuaj të cilët viteve të fundit kanë qenë shembullor në detyrën e tyre, në garantimin e sundimit të rendit e në mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës.
Puna juaj me ndershmëri, etikë dhe përgjegjësi do të forcojë edhe më shumë themelin kryesor të Policisë së Kosovës që është integriteti.
Ju kërkoj që nga momenti i betimit sot e përgjatë gjithë shërbimit tuaj, të ruani integritetin, si vlerë elementare e shërbimit me nder e dinjitet.
Shumë të respektuara vajza që i jeni bashkuar Policisë së Kosovës,
U jam mirënjohës për vullnetin tuaj për t’i shërbyer vendit e shoqërisë sonë pavarësisht çdo sfide me të cilën ballafaqoheni. Ju jeni shtylla e fortë dhe e qëndrueshme e Policisë së Kosovës dhe jam i bindur se do të jeni modeli më i mirë i vajzave të vogla të vendit tonë që ëndërrojnë që kur të rriten të bëhen Police të Republikës sonë.
Vitin 2025 si Qeveri e Republikës së Kosovës e kemi shpallur Vitin e Gruas, andaj me këtë rast dhe jo vetëm, shpreh mbështetjen time të plotë dhe në çdo kohë për ju, përgjatë rrugëtimit tuaj në Policinë e Kosovës.
Shfrytëzoj rastin të bëj thirrje për angazhim edhe më të madh nga të gjitha nivelet e Policisë së Kosovës, që të ngrisin të gjitha kapacitetet për inkurajimin dhe përfshirjen e vajzave dhe grave në Polici, si në proceset e rekrutimit, trajnimit e aftësimit e deri te gradimi meritor për to.
Të dashur kadetë, djem e vajza nga të gjitha komunitetet që jetoni në Kosovë,
Nga sot do të bartni në supe një barrë të madhe e me plot përgjegjësi, angazhim ky që ju përmbush me plot krenari. Përgjatë rrugëtimit tuaj në Policinë e Kosovës, Kushtetuta dhe Ligjet tona janë udhëzuesi juaj i përditshëm.
Punoni me parime të qarta mbi vlerën e jetës dhe pronës së qytetarëve tanë, ruajtjes së sovranitetit e paprekshmërisë së integritetit territorial të Republikës së Kosovës, të cilat Policia e Kosovës e ka dëshmuar që i mbron edhe me jetë.
Mirë se vini në shtëpinë tonë të madhe!
Skedarët për shkarkim
- 474587179_1006085691565139_4716274078221786273_n.jpg
- 473830000_1006083574898684_7872910469857537733_n.jpg
- 474732216_1006085731565135_7885808145909013846_n.jpg
- 474733891_1006083471565361_6460622612032490131_n.jpg
- 475026642_1006083424898699_6540074397300471027_n.jpg
- 475047392_1006083381565370_1490260191989097442_n (1).jpg
- 474750430_1006083521565356_2482086414048485583_n.jpg