Ministria e Punëve të Brendshme miraton vendimin për regjistrimin e fakteve të gjendjes civile
Prishtinë
Ministria e Punëve të Brendshme miraton Vendimin përmes të cilit u mundëson të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës të cilët kanë regjistruar faktet e gjendjes së tyre civile (lindjen, martesën dhe/apo vdekjen) në strukturat ilegale e paralele serbe gjatë periudhës nga 10 qershori 1999 deri në hyrjen në fuqi të këtij vendimi, të aplikojnë për regjistrimin e këtyre fakteve në Regjistrin Qendror të Gjendjes Civile të Republikës së Kosovës.
Ky vendim është një hap i rëndësishëm drejt zbatimit të ligjshmërisë për formalizimin e statusit civil të qytetarëve në përputhje me kornizën ligjore të Republikës së Kosovës.
Procesi i regjistrimit do të kryhet nga Agjencia për Regjistrimin Civil dhe do të jetë i hapur nga data 1 shkurt 2025 deri më 30 prill 2025. Për të aplikuar, qytetarët duhet të dorëzojnë dokumentacionin përkatës në bazë të llojit të faktit që synojnë të regjistrojnë. Në periudhën e ndërmjetme, nga dhjetori i këtij viti deri më 1 shkurt 2025, do të zhvillohen dhe sesione të ndryshme informuese për të gjithë qytetarët, për t'i ndihmuar dhe asistuar në këtë proces.
Ministria e Punëve të Brendshme fton të gjithë qytetarët të përfitojnë nga kjo mundësi për të rregulluar statusin e tyre civil.