Ministri Sveçla në Samitin për Digjitalizim në Estoni: Siguria Kibernetike si Prioritet për Ballkanin Perëndimor
Prishtinë
Me ftesë të Ministres për Drejtësi dhe Digjitalizim të Estonisë, Liisa-Ly Pakosta, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, mori pjesë në Samitin për Digjitalizim që u mbajt në Tallin për dy ditë radhazi. Në kuadër të këtij Samiti, ministri ishte pjesë e panelit “Siguria Kibernetike si një mundësi për zhvillim”, ku theksoi fillimisht sfidat globale të sigurisë, duke përfshirë edhe sulmet kibernetike që cënojnë drejtpërdrejtë shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Ministri Sveçla prezantoi progresin e arritur nga Qeveria e Kosovës, si në aspektin strategjik dhe legjislativ, ashtu edhe në atë të investimit të vazhdueshëm për ngritjen e kapaciteteve logjistike dhe njerëzore në fushën e sigurisë kibernetike.
Gjatë qëndrimit të tij u prit nga Zëvendësministrja e Punëve të Brendshme të Estonisë, Krista Aas, me të cilën diskutoi për situatën e sigurisë dhe rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Estonisë. Ministri Sveçla falënderoi znj. Aas për mbështetjen e vazhdueshme të Estonisë ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës, veçanërisht në fushën e sigurisë kibernetike dhe Akademisë për Siguri Publike.