U mbajt takimi i 12-të lokal i grupit për zbatimin e udhërrëfyesit për AVL-të

Prishtinë

Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Kosovës mbajti takimin e 12-të lokal koordinues për udhërrëfyesin, për një zgjidhje të qëndrueshme për zotërimin e paligjshëm, keqpërdorimin  dhe trafikimin e Armëve të Vogla dhe të Lehta dhe municioneve (AVL).

 

Takimin e hapi Koordinatori Kombëtar për AVL-të, Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, z. Blerim Gashani, i cili falënderoi të pranishmit për pjesëmarrje në takim dhe theksoi se krahas të arriturave në fushën e zbatimit të udhërrëfyesit rajonal gjatë kësaj periudhe raportuese, ka edhe sfida me të cilat institucionet tona janë duke u ballafaquar, sa u përket këtyre trendëve të trafikimit të AVL-ve.

 

Zëvendësministri Gashani theksoi se komisioni i Kosovës për AVL në bashkëpunim të ngushtë me partnerët nga UNDP në Kosovë, ka vlerësuar, analizuar dhe në mënyrë precize ka identifikuar disa nga prioritetet tona në fushën e kontrollit të AVL-ve dhe zbatimit me sukses të udhërrëfyesit rajonal për kontrollin e armëve të vogla dhe të lehta, të cilat do të jenë në harmoni edhe me udhërrëfyesin e ri që pritet të miratohet së shpejti.

 

“Si Qeveri e Republikës së Kosovës dhe si komision për zbatimin e udhërrëfyesit rajonal shprehim seriozitetin dhe gatishmërinë tonë që të punojmë tutje për ta bërë vendin tonë një vend më të sigurt dhe me këtë të kontribuojmë në ngritjen e sigurisë për shtetet në rajonin dhe BE-në në përgjithësi”, theksoi ndër të tjera zëvendësministri Gashani.

 

Gjatë këtij takimi u prezantuan të dhënat se i përket zbatimit të aktiviteteve për AVL-të për periudhën raportuese, ndërsa partnerët e MPB-së që e mbështesin në të gjitha aktivitetet, u zotuan se edhe në të ardhmen do të vazhdojnë të përkrahin Ministrinë e Punëve të Brendshme në të gjitha iniciativat për zvogëlimin e rreziqeve nga AVL-të.