Ministri Sveçla mori pjesë në Ministerialin e BE-së për Punë të Brendshme me shtetet e Ballkanit Perëndimor

Prishtina

Në Budva të Malit të Zi është mbajtur sot Forumi i Ministrave të Brendshëm të shteteve të Ballkanit Perëndimor, i organizuar nga Presidenca Hungareze e Këshillit të Evropës dhe Qeveria e Malit të Zi.

Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla në fjalën e tij në këtë ministerial, prezantoi të arriturat e Republikës së Kosovës në fushën e luftimit të krimit të organizuar, trafikimit me qenie njerëzore, armëve dhe narkotikëve si dhe në luftimin e migrimit të paligjshëm, si temat kryesore të këtij forumi.

Përgjatë vitit 2023, në fushën e luftimit të krimit të organizuar, terrorizmit, trafikimit me njerëz dhe me armë, institucionet tona kanë trajtuar 256 raste dhe 168 raste për 9 mujorin e këtij viti. Ministri Sveçla theksoi angazhimet e Policisë së Kosovës në luftën kundër trafikimit me droga dhe grupeve kriminale të përfshira. Nga janari i vitit të kaluar deri më tani është konfiskuar sasi e konsiderueshme e narkotikëve prej të cilave vlen të përmenden rreth 30 kg heroinë dhe mbi 2.5 ton kanabis. Gjatë periudhës 9 mujore të këtij viti, Policia e Kosovës ka arritur t’i zbulojë dhe shkatërrojë 4 laboratorë të cilët janë shfrytëzuar për prodhimin e narkotikëve si dhe 9 plantacione të kultivimit të kanabisit.

Duke qenë se migrimi i parregullt mbetet sfidë për shumë vende që po ballafaqohen me to, Ministri Sveçla prezantoi angazhimet e institucioneve tona relevante në këtë drejtim, duke konfirmuar kështu se falë angazhimeve të akterëve tanë, Kosova më nuk është zonë qëndrimi për migrantë, pasi që për periudhën e fundit një vjeçare, numri i migrantëve që janë identifikuar është vetëm 636, që i bie, vendi ynë ballafaqohet me më pak se dy migrantë në ditë.

Në përfundim të fjalës së tij në kuadër të dy paneleve, Ministri Sveçla rikonfirmoi përkushtimin e të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës në luftimin e çdo ilegaliteti që cënon sigurinë e vendit tonë, rajonit por edhe më gjerë.