“Ministri Sveçla mori pjesë në lansimin e Rrjetit të Përbashkët të Inteligjencës së Pastrimit të Parave (JMLINK).”

Prishtinë

“Ministri Sveçla mori pjesë në lansimin e Rrjetit të Përbashkët të Inteligjencës së Pastrimit të Parave (JMLINK).”


Më poshtë keni fjalimin e plotë të ministrit Sveçla;


I nderuari Ministër, z. Murati


I nderuari Kryeprokuror i Shtetit, z. Kelmendi,


I nderuari Guvernator i Bankës Qendrore, z. Ismaili,


I nderuari Ambasador i Mbretërisë së Bashkuar, z. Jonathan Hargreaves,


Të nderuar përfaqësues të institucioneve dhe ambasadave, pjesëmarrës nga sektori publik dhe privat,

Është kënaqësi të marr pjesë sot në lansimin e Rrjetit të Përbashkët të Inteligjencës kundër Pastrimit të Parave në Kosovë (JMLINK), projekt ky që do të forcojë aftësitë tona të përbashkëta për të adresuar kërcënimet që vijnë nga pastrimi i parave dhe financimi i terrorizmit.

Me këtë rast, dua të falënderoj Ministrinë e Financave dhe Njësinë e Inteligjencës Financiare për punën e palodhshme në realizimin e këtij mekanizmi të rëndësishëm bashkëpunimi, po aq sa edhe Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar për mbështetjen e tyre të vazhdueshme dhe për iniciativën për këtë projekt të rëndësishëm për vendin tonë dhe në luftimin e kësaj veprimtarie të rrezikshme nga kërcënimet që bart në vetvete.

Ministria e Punëve të Brendshme, në kuadër të Policisë e Kosovës dhe jo vetëm, mbetet e përkushtuar për të luftuar krimin e organizuar dhe terrorizmin. Policia e Kosovës, si agjenci kyçe në hetimin e këtyre veprave të rënda, luan një rol vendimtar në hetimet financiare dhe në ndalimin e rrjeteve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë vendit tonë. Krijimi i Rrjetit të Përbashkët të Inteligjencës kundër Pastrimit të Parave në Kosovë, do të na mundësojë të rrisim aftësinë tonë për të ndjekur rrjedhën e parave të jashtëligjshme dhe për të parandaluar aktivitetet kriminale e terroriste në burim.

Pastrimi i parave dhe financimi i terrorizmit mbeten sfida të mëdha globale dhe kërkojnë përpjekje të përbashkëta dhe të koordinuara.

Financimi i terrorizmit në veçanti, mbetet sfidë reale për ne duke pasur parasysh që pikërisht para një viti, vendi ynë u ballafaqua me sulmin më të madh terrorist në Banjskë të Zveçanit ku përmes të gjitha provave të siguruara, konfirmohet investimi dhe financimi i vazhdueshëm i Serbisë për individë dhe grupacione të caktuara me qëllim të kryerjes së akteve kriminale e terroriste për të destabilizuar sigurinë e Republikës së Kosovës dhe jo vetëm. Ky rast, por edhe sulmet e vazhdueshme nga këto grupacione ndaj institucioneve tona si dhe depot e përditshme të armatimit që po shkatërrohen, kanë vënë në pah pjesën e financimit të vazhdueshëm të Serbisë për këtë veprimtari gjë që kërkon angazhimin e gjitha institucioneve në ndjekjen, hetimin dhe parandalimin e sulmeve të tjera eventuale.

Duke ndërtuar mekanizma si Rrjeti i Përbashkët i Inteligjencës kundër Pastrimit të Parave në Kosovë, ne po e vendosim Kosovën në një pozicion të fuqishëm për të parandaluar këto krime dhe për t’u siguruar që siguria jonë kombëtare dhe integriteti i institucioneve tona financiare të mbrohen.

Ky projekt ka potencial të jetë një shembull i shkëlqyer i bashkëpunimit publiko-privat dhe ndërinstitucional, i cili do të na ndihmojë të përmirësojmë koordinimin dhe ndarjen e të dhënave ndërmjet agjencive vendore dhe ndërkombëtare.

Po ashtu, besoj se kjo nismë do të na ndihmojë në forcimin e kapaciteteve tona për të hetuar dhe ndjekur penalisht pastrimin e parave, financimin e terrorizmit dhe krimet financiare në përgjithësi.

Si Ministër i Punëve të Brendshme shpreh mbështetjen time të pa rezervë për këtë nismë dhe mbesim të përkushtuar të sigurohemi që Policia e Kosovës të ketë të gjitha mjetet e nevojshme për të bashkëpunuar ngushtë me partnerët tanë për të ndjekur me sukses hetimet financiare dhe për të goditur krimin e organizuar dhe terrorizmin.

Faleminderit!