U përmbyll Konferenca ndërkombëtare ‘KosovaPAR 2024”

Prishtinë

Ministria e Punëve të Brendshme, për herë të dytë organizoi konferencën ndërkombëtare “KosovaPAR 2024”, e cila po trajton temën: "PAR - Catching up or forging ahead"

Konferenca synon të rrisë ndërgjegjësimin për rolin e Reformës së Administratës Publike (PAR), si një parakusht për integrimin në BE dhe për përmirësimin e jetës së qytetarëve.

 

Në fillim të konferencës, Kryeministri, z. Albin Kurti, përmes një video-mesazhi, ka adresuar një fjalë rasti duke përgëzuar vazhdimësinë e kësaj nisme vjetore, e cila është shtytëse e reformave gjithëpërfshirëse dhe ambicioze për reformimin e Administratës Publike.

 

Kryeministri Kurti theksoi se qëllimi ynë sipëror është që reforma jonë e administratës publike të shfrytëzojë potencialin e plotë të përkushtimit dhe të talenteve të administratës publike për t’i vënë në shërbim të progresit shoqëror dhe të zhvillimit ekonomik të Republikës së Kosovës.

 

Konferenca filloi me fjalën hyrëse të Ministrit të Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla duke theksuar rëndësinë e përkushtimit të përbashkët për transformimin dhe modernizimin e administratës publike, duke shprehur falënderime për pjesëmarrësit, dhe duke vlerësuar angazhimin e tyre aktiv në diskutime dhe përpjekjet për të avancuar reformat që synojnë një qeverisje më të qëndrueshme dhe fleksibile.

 

“Në krahasim me vitet e kaluara dhe falë reformave të ndërmarra, sot platforma e-Kosova ofron mbi 180 shërbime publike në formë digjitale, apo 50% më shumë në krahasim me vitin 2023; 63% e shërbyesve cilvilë të rekrutuar në vitin 2024 janë gra, progres i dukshëm në krahasim me 48% sa ishin në vitin 2023. Kosova ka bërë përparime në administratën publike, dhe e gjithë kjo falë mbështetjes së partnerëve tanë e miqve ndërkombëtarë andaj, duke qenë se reforma është element kyç për përmirësimin e qytetarëve tanë, dhe  angazhimi ynë do të jetë maksimal”- ka thënë ministri Sveçla.

 

Gjithashtu ministri Sveçla theksoi se sfida më e madhe do të mbetet kryesisht në menaxhimin e burimeve njerëzore, duke veçuar se po punojmë në krijimin e një Shkolle Kombëtare të Administratës Publike, në bashkëpunim të ngushtë me bordin këshillues për administratë publike. Kjo shkollë, e cila do të tejkalojë kapacitetet e Institutit të Administratës Publike (IKAP), do të shërbejë si model për rajonin.

Në hapje të ceremonisë, me një fjalë rasti, të pranishmëve iu drejtua edhe Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, z. Bardhyl Dobra, i cili theksoi rëndësinë e angazhimit të pjesëmarrësve. Ai shprehu mirënjohje për interesimin e tyre dhe theksoi se rritja e numrit të paneleve dhe panelistëve këtë vit është një dëshmi e përkushtimit të përbashkët për një administratë moderne.

 

Zëvendësministri Dobra u shpreh se “Shkalla e profesionalizimit tuaj dhe e njohurive tuaja akademike e praktike premtojnë seanca të një cilësie të lartë dhe frymëzuese.” Ai inkurajoi të gjithë pjesëmarrësit, përfshirë zyrtarët, shërbyesit civilë dhe studentët, të shfrytëzojnë mundësitë për të shkëmbyer ide dhe për të ndarë njohuri inovative.

 

Këto dy ditë në Prishtinë u shkëmbyen ide me 96 panelistë nga 26 vende, përfshirë profesorë të njohur si Profesor Massey dhe Profesor Ongaro.

 

Profesor Andrew Massey nga King’s College London mbajti fjalim tematik lidhur me temën “Demokracia dhe Administrata Publike”, sesion gjatë të cilit ai shtejlloi temën në detaje. Ai më tutje përmendi progresin impresiv të shënuar nga Republika e Kosovës në qeverisje, demokraci, shtetin e së drejtës, ekonomi, mirëqenie të qytetarëve, liri të medies, progres i njohur në raportet dhe indekset e edhe nga organizatat ndërkombëtare si Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Transparency International, V-Dem e të tjera.

 

Konferenca “KosovaPAR 2024”, përmes 20 paneleve, 4 sesioneve kryesore dhe 3 workshop-e, ka mbledhur liderë politikë, akademikë dhe profesionistë nga 26 shtete nga rajoni, Evropa, Shtetet e Bashkuara, Brazili, Indonezia, dhe më gjerë, të cilët diskutuan për çështje të rëndësishme dhe ndanë njohuri mbi reformën e administratës publike.

 

Konferenca mbylli sot punimet pas dy ditë prezantime dhe diskutime intenzive në mes prezantuesve si dhe bashkë me publikun.