U hap ceremonia zyrtare për shkatërrimin e armëve dhe pajisjeve të ndryshme të paligjshme
Prishtinë
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, njëkohësisht Koordinatorit Nacional për kontrollin e armëve të lehta dhe eksplozivëve, z. Blerim Gashani së bashku me Policinë e Kosovës, përfaqësuesit e UNDP-së, përfaqësuesit e BE-së si dhe përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare bënë hapjen e ceremonisë zyrtare për shkatërrimin e dhe pajisjeve të ndryshme të paligjshme në Republikën e Kosovës.
Në këtë ceremoni në fjalën hyrëse zëvendësministri Gashani tha se Kosova sërish rithekson përkushtimin e fuqishëm që të zbatojë standardet më të larta ndërkombëtare për kontrollin e armëve, përkatësisht luftimin e posedimit të paligjshëm të armëve dhe municionit dhe në të njëjtën kohë, Kosova demonstron përkushtimin e fuqishëm që të luftojë të gjitha llojet e paligjshme të trafikimit me armë.
Gjithashtu ai tha se Kosova është e përkushtuar në zbatimin për Udhërrëfyesit Rajonal për një zgjidhje të qëndrueshme të posedimit të paligjshëm, keqpërdorimit dhe trafikimit të armëve të zjarrit dhe municionit të tyre në Ballkanin Perëndimor dhe të planit të veprimit të Strategjisë Kombëtare të Kosovës për Kontrollin e armëve të vogla dhe të lehta si dhe eksplozivëve.
Zëvendësministri Gashani theksoi se është bërë progres i jashtëzakonshëm, dhe shkatërrimi i këtyre armëve të paligjshme tregon vendosmërinë e shtetit tonë për të eliminuar potencialin e dhunës dhe për të siguruar një të ardhme më të ndritshme për Kosovën dhe qytetarët e saj.
Në fund të fjalimit zëvendësministri Gashani shprehu mirënjohjen ndaj partnerëve ndërkombëtarë e në veçanti për UNDP-në dhe SEESAC, mbështetjen dhe bashkëpunimin e të cilëve kanë qenë të rëndësishme për të arritur këtë nivel duke pasur parasysh përpjekjet tona të përbashkëta që pasqyrojnë përkushtimin e përbashkët për paqe, siguri dhe sundimin e ligjit, si dhe përfaqësuesit nga BE dhe nga përfaqësuesit e shteteve të Gjermanisë, Holandës, Francës, Suedisë, Norvegjisë dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Policia e Kosovës ka shkatërruar 993 armë, prej tyre 372 armë të gjata dhe 621 shkurta të cilat kanë pasur vendime përkatëse të gjykatave.