Sveçla: Sulmi i djeshëm në veri ishte organizim terrorist që është udhëhequr dhe urdhëruar direkt nga Beogradi zyrtar

Prishtinë

Ministri i Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla së bashku me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, z. Gazmend Hoxha, kanë mbajtur një konferencë për media, ku kanë bërë të ditur të gjitha detajet e sulmit terrorist që ka ndodhur dje në veri të Kosovës, ku mbeti i vrarë, Rreshteri i Policisë së Kosovës, tashmë Hero, Afrim Bunjaku si dhe është ekspozuar armatimi i sekuestruar i grupeve terroriste nga Policia e Kosoves.

Me këtë rast ministri Sveçla, theksoi se përkundër humbjes së policit Afrim Bunjaku, operacioni i djeshëm ka qenë sukses për Policinë e Kosovës dhe për ne, dhe ky sukses është dëshmi se toleranca ndaj grupeve kriminale dhe terroriste është zero.

 

Më Poshtë keni fjalimin e plotë të ministri Svecla në këtë konferencë për media;

 

Të nderuar përfaqësues të mediave,

Ju faleminderit për pjesëmarrjen tuaj dhe për interesimin. Dua të ju falënderoj edhe për raportimet gjatë ditës së djeshme.

Po takohemi këtu, 2 orë para se t’i japim lamtumirën e fundit Heroit tonë, Rreshter Afrim Bunjaku, i cili u vra dje nga terroristët e grupeve kriminale që vepruan nën direktivat e Beogradit dhe Vuçiqit.

Siç e kemi thënë edhe gjatë ditës së djeshme, Policia jonë është ballafaquar me një sërë sulmesh të mirë-organizuara, nga persona të maskuar të cilët nuk ishin civilë, por njësi profesionale e speciale të organizuara dhe të mbështetura politikisht, financiarisht dhe logjistikisht nga Serbia. Ata individë sipas pamjeve që kemi ofruar, përveç aftësive dhe armatimit që kanë poseduar, kanë pasur edhe mjete të rënda si autoblinda dhe automjete të tjera me të cilat është zhvilluar dhe ka pasur të vijojë operacioni special i tyre.

Falë profesionalizmit të Policisë sonë, plani i tyre i dhënë nga Vuciq për të përshkallëzuar situatën e sigurisë në vendin tonë, ka dështuar.

Në shkëmbimin e zjarreve mes grupeve të armatosura dhe Policisë sonë, kanë mbetur të vdekur së paku 3 pjesëtarë të tyre të uniformuar dhe me pajisje të ndryshme, ndërsa janë arrestuar 2 të tjerë të uniformuar njëri nga të cilët ishte i plagosur dhe 4 të tjerë mbështetës të këtyre grupeve. Të plagosurit i është dhënë ndihma e parë nga policët tanë në vend të ngjarjes, ndërkaq të njëjtit i është ofruar më pas edhe ndihma në spitalin e Mitrovicës dhe në QKUK. Vlen të theksohet që asnjë person civil nuk është i lënduar gjatë këtij aksioni. Sipas informatave të deritanishme, 6 terroristë të plagosur po trajtohen në spitalin e Novi Pazarit dhe kërkojmë që Serbia të na dorëzojë ata menjëherë ashtu sicc kërkojmë dorëzimin e të gjithë atyre që kanë arritur të ikin në Serbi.

Para se të flasim për sasinë e armatimit që tregon edhe përmasën e këtij organizimi terrorist dua të ju njoftoj se në objektet brenda dhe në vetura janë gjetur harta e plane që tregojnë për organizimin e gjatë, mirëmenduar dhe bashkërenduar. Këto harta e dokumente janë dëshmi që këtu nuk kemi të bëjmë thjesht me grupe lokale, por organizim terrorist që është udhëhequr dhe urdhëruar direkt nga Beogradi zyrtar. 

Edhe nga ekspertë vendor dhe të huaj është konstatuar se për këtë sasi armatimi, këtë organizim dhe këto përgatitje duhen së paku shumë muaj përgatitje. Ky organizim nuk ka të bëjë me diçka të shpejtë dhe të ditëve të fundit.

Në këto materiale po ashtu kemi gjetur dokumente të kriminelit, që po ashtu është në listën e zezë të ShBA-së, Milan Radojçiq, dokumente këto që dëshmojnë pjesëmarrjen e tij të drejtpërdrejt në këtë organizim terrorist.

Milan Radojçiq është nënkryetar i Listës Serbe, Lista serbe është ngusht e bashkërenduar me Aleksandar Vuçiqin dhe asnjë hap nuk e bën pa koordinim me të. Pra, harta e këtij plani është më e qartë se kurrë.

Këtu ku ndodhemi aktualisht, i gjithë ky armatim i sekuestruar i grupeve të armatosura terroriste, ka qenë pjesë e operacionit të djeshëm. Nga kjo sasi jashtëzakonisht e madhe e armatimit, lehtësisht kuptohet se ka pasur një plan të përfshirjes së qindra personave për destabilizimin e vendit tonë.

Në armatimin që shihni, ndër të tjera ka edhe armë ushtarake të vitit 2021 që janë furnizim nga ushtria e shtetit serb. Pra, çdo ditë e më shumë po konfirmohet ajo që kemi thënë në vazhdimësi, se Serbia po shfrytëzon armët dhe kriminelët e saj për politikat e saj hegjemoniste e me to po shkakton dhimbje qytetarëve e familjeve tona.

Si institucione sot kemi dhimbje për humbjen e Rreshter Afrimit, ndërsa rezistenca dhe lufta e djeshme e pakompromis ndaj bandave ka qenë dëshmia e qartë që nuk ndalemi në mbrojtje të sovranitetit të vendit tonë. Pra, sot nuk kemi vetëm dhimbje, por edhe krenari.

Aksioni i djeshëm me shumë sukses dhe profesional i Policisë së Kosovës është dëshmi që toleranca ndaj grupeve kriminale dhe terroriste është zero, se koha e pandëshkueshmërisë ka kaluar dhe integriteti e sovraniteti i vendit janë gjëra për të cilat nuk ka kompromis.

Shprehë mirënjohjen time të thellë për secilin zyrtar policor që dje dhe çdo ditë është në nivelin më të lartë të detyrës, në shërbim të vendit dhe të gjithë qytetarëve pa dallim.

Ju uroj shërim të shpejtë policëve të lënduar dhe rikthim sa më të shpejtë në detyrë.

Tani ja kaloj fjalën Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, për të dhënë më shumë detaje të pajisjeve dhe gjësendeve që janë sekuestruar mbrëmë në Manastirin Banjska dhe objektet përreth, pas përfundimit të ballafaqimit me grupet kriminale e terroriste atje.