UNDP dhuron donacion për Kërkim-Shpëtim në Vërshime për Agjencinë për Menaxhim të Emergjenca të MPB-së

Prishtinë

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), në një ceremoni të përbashkët, të organizuar me Ministrin e Punëve të Brendshme dhe Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, u bë pranim- dorëzimi i donacionit për Kërkim-Shpëtim në Vërshime.

Në këtë ceremoni morën pjesë zëvendësministri i Punëve të Brendshme, z. Blerim Gashani, zëvendës Përfaqësuesja e Përhershme e UNDP-s, znj. Ylliya Shcherbinina, zëvendësshefi i Korporatës SCO, z. Laurent Torche, zëvendësuesi i drejtorit të AME-së, z. Shefki Avdullahu, si dhe përfaqësues nga UNDP-ja, agjencitë tjera të OKB-së, si dhe pjesëtarë të Agjencisë së Menaxhimit Emergjent.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, z. Blerim Gashani, theksoi ky donacion për Kërkim Shpëtim në Vërshime, është i rëndësishëm, sepse do t’iu ndihmojë qytetarëve tanë për të pasur një siguri më të madhe në raste vërshimesh, sikurse ato që na goditën në fillim të këtij viti.

Zëvendësministri Gashani vuri në dukje se viteve të fundit, vendi ynë është goditur nga një numër fatkeqësish, duke filluar nga Covid-19, që ishte një pandemi botërore, e deri tek vërshimet urbane të cilat na goditën për dy vite radhazi duke na shkaktuar humbje në jetë njerëzish dhe dëme të mëdha materiale dhe ekonomike. Ai tha se edhe këtë vit, këto Agjenci ishin së bashku me ne kur u sfiduam nga vërshimet duke na mbështetur që nga dita e parë, me vlerësimin e shpejtë të dëmeve dhe rimëkëmbjen e hershme.

“Për një dekadë të tërë, qoftë kur goditeshim nga fatkeqësitë apo në kushte qetësie, Agjencitë e Kombeve të Bashkuara që veprojnë në Kosovë, e sidomos UNDP, na kanë ofruar një ndihmë dhe mbështetje të madhe nëpër të gjithë ciklin e Menaxhimit Emergjent. Që nga viti 2010, UNDP-ja na ka mbështetur në hartimin e dy dokumenteve të para bazike për menaxhimin e fatkeqësive natyrore dhe fatkeqësive tjera: Sistemi i integruar i Menaxhimit”, theksoi Gashani.

Për mbështetjen në të kaluar dhe për donacionin e sotëm, zëvendësministri Gashi në emër të MPB-së, shprehi mirënjohjen e thellë  ndaj organizatave të Kombeve të Bashkuara,  posaçërisht UNDP-së, duke theksuar se mbështetja dhe bashkëpunimi ndërmjet nesh do të forcohet dhe do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Në këtë ceremoni me nga një fjalë rasti për donacionin dhe për mbështetjen ndaj AME-së, folën edhe zëvendës Përfaqësuesja e Përhershme e UNDP-s, znj. Ylliya Shcherbinina, zëvendësshefi i Korporatës SCO, z. Laurent Torche dhe zëvendësuesi i drejtorit të AME-s, z. Shefki Avdullahu.

Ky donacion është bërë përmes Zyrës së Koordinatorit për Zhvillim të OKB-së në Prishtinë, në emër të 10 agjencive, fondeve dhe programeve të Kombeve të Bashkuara. Në këtë donacion ka pajisje për kërkimin dhe shpëtimin nga përmbytjet, në kontingjentin e të cilit janë; anija e shpëtimit, pompat për heqjen e ujit dhe një pjesë e sendeve personale.