
U mbajt takimi i përbashkët mes përfaqësuesve të MPB-së dhe Ministrisë së Brendshme të Francës
Prishtinë
Në Ministrinë e Punëve të Brendshme është pritur një delegacion nga Ministria e Punëve të Brendshme e Francës, të shoqëruar nga ambasadori i Francës në Kosovë, z. Olivier Guerot.
Ky takim është mbajtur në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm që kanë dy Ministritë e Punëve të Brendshme, me qëllim të thellimit të këtij bashkëpunimi në fusha specifike të interesit të përbashkët.
Theks i veçantë i është kushtuar nevojës për një dialog ndërinstitucional për zgjerimin e bashkëpunimit, përfshirë këtu fushën e sigurisë dhe të migrimit, si dhe bashkëpunimin policor.
Gjithashtu, u theksua se bashkëpunimi bilateral mes dy ministrive ka kontribuar në qëndrimin pozitiv të Francës për Liberalizimin e Vizave për Kosovën, me ç’rast përfaqësuesit e MPB-së së Republikës së Kosovës i falënderuan delegacionin francez për mbështetjen e dhënë në këtë proces.
Ministria e Punëve të Brendshme shprehu gatishmërinë që në bashkëpunim me autoritetet franceze të shtohen veprimet e përbashkëta, shkëmbimet dhe bashkëpunimet në fushën e migrimit, sigurisë, si dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimeve tjera.