Adresimi i ministrit Veliu për 26 qershorin, Ditën Ndërkombëtare Kundër Abuzimit me Droga dhe Trafikimit të Paligjshëm

Prishtinë

Me rastin e datës 26 qershor, Ditës Ndërkombëtare Kundër Abuzimit me Droga dhe Trafikimit të Paligjshëm, në vijim gjeni të plotë adresimin e Ministrit të Punëve të Brendshme, z. Agim Veliu:

 

Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme e vitit 1987 kishte përcaktuar 26 qershorin Ditë Ndërkombëtare Kundër Abuzimit me Drogë dhe Trafikimit të Paligjshëm, si një shprehje të vendosmërisë për të përforcuar veprimin e gjithmbarshëm dhe bashkëpunimin në ndërtimin e një shoqërie ndërkombëtare pa abuzim me drogë.

 

Tema e Ditës Ndërkombëtare 2020 kundër Abuzimit me Drogën dhe Trafikimin e Paligjshëm, “Njohuri më të Mira për Kujdes më të Mirë”, përqendrohet në nevojën për të përmirësuar të kuptuarit e problemit botëror të drogës, por edhe të nxjerrjes së njohurive më të mira për nxitjen e bashkëpunimit më të madh ndërkombëtar për të kundërshtuar ndikimin e tij në shëndet, qeverisje dhe në siguri.

 

Ditët ndërkombëtare janë raste për të edukuar publikun e gjerë për çështje shqetësuese, për të mobilizuar vullnetin politik dhe burimet në adresimin e problemeve globale, si dhe për të festuar dhe përforcuar arritjet e njerëzimit kundër këtij fenomeni të dëmshëm shoqëror.

 

Gjatë vitit 2019, Kosova ka arritur një progres të theksuar në luftën kundër abuzimit dhe trafikimit të paligjshëm të drogës. Ministria e Punëve te Brendshme mbetet edhe më tutje e përkushtuar për të vazhduar luftën e pakompromis kundër kësaj dukurie negative dhe për përkrahjen e të gjitha institucioneve relevante të zbatimit të ligjit në ketë drejtim.

Agim Veliu

Ministër

Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Kosovës

 


Skedarët për shkarkim