Komunikatë për media

Prishtinë

Në vazhdën e pranimit të kërkesave nga qytetarët dhe komunat e Republikës së Kosovës, Qendra Operative e Ministrisë së Punëve të Brendshme, ka bërë koordinimin e veprimeve të saj të mëtutjeshme me qëllim të mbrojtjes së jetës dhe pronës së qytetarëve.

Në kuadër të kësaj, Njësitë Profesionale të Zjarrfikësve të asistuar nga Njësitë e komunave që kanë situatë të qetë përballë vërshimeve, kanë reaguar në disa lagje të qytetit të Skenderajt dhe Mitrovicës së Jugut. Po vijon hapja e kanaleve për rrjedhje të ujit në zonat e Mitrovicës së Jugut dhe në komunat veriore ku ka përmbytje. Për të siguruar vazhdimësinë e shërbimeve spitalore, Njësitë e Zjarrfikësve kanë sjellur një autocisternë në Spitalin e Mitrovicës. Në shtëpitë e vërshuara nga uji në zona të ndryshme të Komunës së Zveçanit planifikohet të fillojë nxjerrja e ujit me pompa ndërsa në zona të Komunës së Leposaviçit, ky proces veçse ka filluar nëpër shtëpi të vërshuara nga uji.

Rrëshqitjet e dheut të shkaktuara pasditen e sotme kryesisht në komunat veriore janë sanuar nga Njësitë e Zjarrfikësve dhe kompani të ndryshme ndërsa në zona të tjera po shfrytëzohen rrugët alternative.

 

Apelojmë tek qytetarët për bashkëpunim me institucionet tona duke kontaktuar pa pagesë në numrat:

112 – Numri unik emergjent

192 – Policia e Kosovës

193 – Zjarrfikësit dhe

194 – Ndihma e shpejtë.