Kosova dhe Shqipëria mbajtën mbledhjen e parë të përbashkët të dy kuvendeve
Prishtinë
Ministri i Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla me rastin e mbajtjes së mbledhjes së parë të përbashkët të dy kuvendeve atë të Republikës së Kosovës dhe atë të Republikës së Shqipërisë mbajti një fjalim.
Më poshtë keni fjalimin e plotë të ministrit, z. Xhelal Sveçla:
“E
nderuar Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë znj. Nikolla,
I nderuar Kryetar i Kuvendit të Kosovës z. Konjufca,
Të nderuar Kryeministra z. Rama dhe z. Kurti,
Të nderuar Deputetë,
Të nderuar kolegë Ministra,
Të dashur bashkëkombas,
Është padyshim nder dhe privilegj i jashtëzakonshëm të jem këtu mes jush e
kështu të gjithë së bashku në shënimin e ditës më të rëndësishme për kombin
tonë 28 nëntorin.
Të dashur motra e vëllezër,
Të nderuar zonja e zotërinj,
Përvoja jonë si shqiptarë nuk ka qenë e qetë. Ne nuk përjetuam periudha të
gjata e të qeta të ndërtimit të shtetit tonë. Na është dashur të punojmë
nën regjime që jo patjetër kanë qenë në përputhje me qëllimësitë dhe interesat jetike
të kombit.
Projektin e plotë të shprehur me aktin e shpalljes mbarëkombëtare të shtetit
tonë të parë, nuk na lanë kohë ta jetësojmë në tërësinë e tij.
Ndërprerjet nga copëtimi, nga lufta e parë, nga lufta e dytë, nga muri mes
kampeve, ne i pësuam me shumë se kushdo.
Por përpjekjet dhe sakrificat nuk u ndalën deri sa e çliruam edhe
Kosovën.
Siç na mëson dhe poeti i madh i ndërgjegjes, Migjeni, në forma dhe në akte
rezistence nga më të ndryshmet, ne ditëm me thanë nuk i duam humbjet
prore.
Ne vepruam si një popull edhe pse në troje të ndara. Ne i shuam befasisht
për armiqtë tanë ekzistenciale barrierat që na i vendosën.
Dhe sot, nga ai projekt i shpallur në 28 Nëntor 1912, ne kemi realizuar një
shtegtim të madh të shqiptarëve.
Me fuqinë shtetërore që zotërojmë do të hedhim hapat përafrues në bashkimin e
inteligjencave dhe vullnetit kombëtar. Ashtu siç po i shtojmë e thellojmë
marrëveshjet e bashkëveprimin mes nesh.
Tani është koha më shumë se kurrë që hapat tonë të jenë një. Që mbërritja jonë
drejt qëllimit të jetë sa më e shpejtë.
Marrëveshjet mes shteteve tona kanë filluar të prodhojnë efektet e tyre.
Emocioni i këtyre efekteve do të jetë sigurisht i madh kur të jetësohen
plotësisht e të shtrihen në kohë.
Le të shprehemi pra publikisht, mbi kahjen e marrëveshjeve të tashme dhe atyre
që do të bëjmë në të ardhmen.
Bashkëpunimi në fushën e rendit dhe sigurisë ka fokus përafrimin e standardeve
në fushën e sigurisë publike, patrullimit dhe kontrollit të përbashkët te
kufirit shtetëror, masave të përbashkëta për sigurinë rrugore, rregullimin e
regjimit të trafikut lokal, pajisjen me leje qëndrimi të përkohshëm, leje
kalimi, ndihma reciproke në raste të emergjencave civile, etj.
Ka një sërë marrëveshjesh me objekt hapjen e pikave të përbashkëta të kalimit
kufitar, që synojnë thjeshtësimin e procedurave të kontrollit kufitar në
interes të lehtësimit në qarkullimin e njerëzve dhe mjeteve bazuar në parimin
një ndalese një kontroll.
Në zbatim të këtyre marrëveshjeve gjatë sezonit veror, qershor - shtator,
qytetarët në dy anët e kufirit kanë lëvizur pa i'u nënshtruar asnjë kontrolli
në pikat e përbashkëta të kalimit kufitar. Në funksion të lëvizjes së lirë të
qytetarëve, kalimi pa ndalesa, vijon të aplikohet edhe gjatë fundjavave dhe ditët
e
festave zyrtare/ shtetërore.
Si rezultat i tyre, mundësohet lëvizja e lirë e qytetarëve në zonat
ndërkufitare Shqipëri-Kosovë duke u eliminuar çdo barrë burokratike e
financiare. Përmes dokumentit, leje e trafikut lokal, zbatohet regjimi i
trafikut lokal kufitar për banorët e zonave deri në 30 km nga kufiri tokësor.
Qytetarët e zonave kufitare kanë mundësi të kalojnë kufirin e të qëndrojnë në
zonën kufitare për arsye
sociale, kulturore, familjare etj.
Këto marrëveshje dhe ato që do të arrijmë në të ardhmen, do të prodhojnë
unifikimin e hapave tanë.
Dikur detyrë e rilindasve, veprimtarëve, aktivistëve e militantëve patriotë,
sot detyrë e shteteve tona. Shteteve patriote.
Jemi duke vijuar punën në forcimin e shtetit të Kosovës. Por të gjithë jemi të
qartë mbi rëndësinë e Republikës së Shqipërisë në të gjithë proceset e forcimit
të Republikës së Kosovës. Mes nesh dhe jashtë nesh. Bashkë me Shqipërinë jemi
të pakapërcyeshëm gjeopolitikisht, ekonomikisht dhe shoqërisht.
Ne e mbështesim këtë besim në faktin se ne jemi dy pjesë të të njëjtit projekt
rilindas që u zhvillua progresivisht në Prizren e në Vlorë.
Tani ne kemi detyrën që na takon prej kohës sonë, sipas hapave që prodhohen në
arenën gjeopolitike botërore.
Agresioni rus mbi Ukrainën dhe rezistenca e shkëlqyer e Ukrainës i kanë
qartësuar palët në Ballkan edhe midis më hezituesve në Evropë.
Ne shqiptarët, jemi populli që nuk pushtuam dhe nuk sulmuam kurrë askënd
tinëzisht e padrejtësisht. Jemi po ashtu populli që u solidarizuam çdo herë me
çlirimtarët dhe u vendosëm në çdo etapë historike në krahun e së drejtës. Që
kurrë nuk e nënshtruam të dobëtin as nuk përfituam prej atyre që janë
pak.
Në të njëjtin vektor veprojmë dhe sot dhe në të njëjtin horizont i kemi edhe
projektet tona ndërshtetërore.
Shpresoj se ne e ndjejmë në këtë formë bashkërisht aktualitetin kompleks.
Pikërisht në këtë ditë të madhe, në ditën e themelimit të shtetit të
shqiptarëve.
Tani, më lejoni që si Ministër i Punëve të Brendshme, këtë 28 nëntor mbi të
gjitha t’ua uroj zyrtarëve policorë të cilët më mirë dhe më shumë se kurrë po i
shërbejnë Republikës.
Gëzuar motra e vëllezër!”