Shefja e kabinetit të ministrit të MPB-së vizitoi Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve në veri të vendit
Shefja e kabinetit të ministrit të Punëve të Brendshme, znj. Jeta Tela sot së bashku me zyrtarë të tjerë nga kabineti vizituan Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve në Veri.
Gjatë kësaj vizite znj. Tela u njoftua për së afërmi me procesin e përgatitjes për regjistrimin e veturave dhe kthimin e targave nga ato ilegale në targat RKS.
Të gjitha përgatitjet operacionale ishin gati dhe me këtë rast Ministria e Punëve të Brendshme fton të gjithë shtetasit e Republikës së Kosovës që të vazhdojnë të regjistrojnë veturat e tyre në QRA-të përkatëse, duke përfituar nga lehtësirat e parapara në këtë proces i cili do të zgjatë deri me datën 31 tetor të këtij viti.
Gjithashtu, shefja e kabinetit, znj. Tela gjatë kësaj vizite falënderoi të gjithë zyrtarët e angazhuar që me përkushtim po ofrojnë informacionet e nevojshme për qytetarët e interesuar.
Ministria e Punëve të Brendshme njofton të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se fushata e informimit do të vazhdojë në mënyrë intensive gjatë ditëve dhe javëve në vazhdim anë e mbanë Kosovës.