MPB fillon takimet informuese me udhëheqësit e Qendrave për Regjistrimin e Automjeteve

Prishtinë


 

Në Agjencinë për Regjistrim Civil të Ministrisë së Punëve të Brendshme, është mbajtur takimi informues me udhëheqësit e Qendrave për Regjistrimin e Automjeteve.

 

Në këtë takim u diskutua për zbatimin e Vendimit Nr. 01/85 të Qeverisë së Republikës së Kosovës të datës 29.06.2022, si dhe u vunë në pah modalitetet për formën se si do të shkojë ky proces për regjistrimin e mjeteve, sipas Udhëzimit Administrativ, Nr. 03/2022 për regjistrimin me targa “RKS” të mjeteve që posedojnë targat “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE” DHE “DA” APO “ĐA”.

 

Udhëheqësit u njoftuan se qytetarët që posedojnë targat “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE” DHE “DA” APO “ĐA” dhe regjistrojnë mjetin me targa “RKS” do të lirohen nga obligimi për të paguar taksat doganore, taksën administrative në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve, tarifën për targën, si dhe tarifën për pajisje me certifikatë të regjistrimit të mjetit.

 

Në takim gjithashtu u diskutua për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme që ky proces të fillojë nga data 1 gusht 2022 dhe të përfundojë me datë 30 shtator 2022, si dhe për informimin e qytetarëve me hapat konkretë që duhen ndjekur për regjistrimin e automjeteve.

 

Me këtë rast, Ministria e Punëve të Brendshme, inkurajon të gjithë qytetarët që të shfrytëzojnë këtë mundësi dhe të bëjnë regjistrimin e mjeteve në Qendrën për Regjistrimin e Automjeteve në komunën ku e kanë vendbanimin.


Skedarët për shkarkim