Ministri Sveçla takon homologët gjatë vizitës në Katar
Ministri i Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla gjatë qëndrimit në Katar dhe pjesëmarrjes në Panairin “Milipol 2022” ka pasur rastin të takojë homologë të tij nga vende të tjera. Me këtë rast, ai ka takuar ministrin e Punëve të Brenshme të Francës, z. Gerald Darmanin, zëvendëskryeministrin e parë dhe ministrin e Punëve të Brendshme të Kuvajtit, z. Sheikh Ahmad Nawaf Al-Ahmad Al-Sabah, ministrin e Sigurisë së Bonjës e Hercegovinës, z. Selmo Cikotic, ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme në Sudan, gjeneral lejtënant Anan Hamed Muhammad Omar, dhe zëvendësdrejtorin e Departamentit të Shtetit në Direktoratin e Sigurisë Publike në Turqi, z. Mustafa Jait.
Gjatë takimit me ministrin francez, ministri Sveçla ka shkëmbyer mendimet për zhvillimet e fundit të sigurisë dhe mundësitë e thellimit të bashkëpunimit bilateral. Ndërsa, me ministrin boshnjak z. Cikotic është diskutuar për gjendjen e sigurisë dhe nevojën e bashkëpunimit rajonal.
Ndërsa, gjatë takimit me ministrin e Jashtëm të Kuvajtit, ministri Sveçla e ka falënderuar për mbështetetjen e vazhdueshme të vendit të tij për Kosovën. Gjithashtu, janë diskutuar mundësitë e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët, me theks të veçantë në fushën e sigurisë dhe bashkëpunimit policor.
Ministri Sveçla, gjatë takimit me homologun e tij nga Sudani, e ka njoftuar me zhvillimet në Kosovë gjatë viteve të fundit. Ministri Omar ka mirëpritur nisjen e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe shkëmbimin e përvojave midis Policive të dy vendeve.
Ministri Sveçla ka falënderuar zëvendësdrejtorin e Departamentit të Shtetit në Drejtoratin e Sigurisë Publike të Turqisë, z. Mustafa Jait, për kontributin që ka dhënë Turqia në mbështetjen dhe ngritjen e kapaciteteve profesionale të Policisë së Kosovës. Gjithashtu, në takim është biseduar për mundësitë e bashkëpunimit dhe shkëmbimin e përvojave edhe me Xhandarmerinë turke.