Lansohet Rrjeti për Siguri në Komunitet
Prishtinë
Në një
ceremoni të organizuar sot nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, është lansuar
Rrjeti për Siguri në Komunitet, një nismë e re që synon forcimin e
bashkëpunimit ndërinstitucional dhe angazhimit të qytetarëve në adresimin e
çështjeve të sigurisë në nivel lokal.
Në këtë
ceremoni morën pjesë zëvendësministri i Punëve të Brendshme, z. Viktor Buzhala,
shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori z. Gerard McGurk,
zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, z. Dejan Janković, si dhe shumë zyrtarë
të tjerë nga niveli qendror dhe lokal.
Në fjalën e
tij, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, z. Viktor Buzhala, theksoi se
Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar të angazhohet fuqishëm në
adresimin e çdo shqetësimi që lidhet me sigurinë në bashkësi. Ai tha se rritja
e nivelit të sigurisë në bashkësi nënkupton edhe përmirësimin e cilësisë së
jetës së qytetarëve tanë dhe se ky është imperativi ynë.
Zëvendësministri
Buzhala theksoi rëndësinë e forcimit të qasjes parandaluese ndaj sfidave të
sigurisë, duke veçuar sigurinë në shkolla, dhunën në familje, posedimin e
paligjshëm të armëve, dukuritë që lidhen me substancat narkotike dhe sigurinë
në komunikacion. Në këtë drejtim, ai potencoi se identifikimi i problemeve
duhet të përcillet me veprime konkrete institucionale, në mënyrë që të rritet
besimi i qytetarëve dhe të përmirësohet cilësia e jetës së tyre.
Duke folur për
rëndësinë e lansimit të Rrjetit për Siguri në Komunitet, zëvendësministri
Buzhala vlerësoi se kjo nismë krijon mundësi shtesë për bashkëpunim, shkëmbim
të praktikave të mira dhe bashkërendim të aktiviteteve ndërmjet të gjithë
akterëve që kontribuojnë në sigurinë lokale. Ai theksoi se ky rrjet duhet të
funksionojë si mekanizëm gjithëpërfshirës dhe i orientuar drejt rezultateve
konkrete, duke siguruar pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve, me theks të
veçantë te gratë dhe të rinjtë.
Në fund të
fjalës së tij, zëvendësministri Buzhala vuri në dukje se, si Ministri e Punëve
të Brendshme, do të vazhdojmë të angazhohemi në fuqizimin e mekanizmave lokalë
të sigurisë, avancimin e partneritetit ndërmjet institucioneve dhe qytetarëve,
si dhe në adresimin e sfidave të evidentuara në terren.
Rrjeti do të
shërbejë si platformë për bashkëpunim dhe koordinim më të ngushtë ndërmjet
Policisë së Kosovës (PK), Këshillave Komunalë për Siguri në Bashkësi (KKSB),
Komiteteve Lokale për Siguri Publike (KLSP) dhe akterëve të tjerë relevantë.
Përmes kësaj nisme synohet të rritet pjesëmarrja e qytetarëve në proceset e sigurisë, të forcohet koordinimi ndërmjet institucioneve dhe mekanizmave lokalë, si dhe të adresohen në mënyrë më efektive çështjet dhe sfidat e sigurisë në komunitet.