Ministri i Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla, po qëndron në një vizitë zyrtare në Japoni.

Prishtinë

Në kuadër të vizitës zyrtare në Japoni, Ministri i Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla, u prit në takim nga Ministri për Punë të Brendshme dhe Komunikim i Japonisë, z. Hisayuki Fujii.

Kosova dhe Japonia gëzojnë marrëdhënie miqësore dhe bashkëpunim të vazhdueshëm, veçanërisht në fushën e sigurisë dhe menaxhimit të emergjencave civile. Gjatë takimit, u diskutua për mundësitë e zgjerimit dhe thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit, me theks të veçantë në sigurinë publike, shkëmbimin e të dhënave, emergjencat civile dhe sigurinë kibernetike.

Ministri Sveçla shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Japonisë në zhvillimin dhe fuqizimin e kapaciteteve të institucioneve të Kosovës, si dhe për gatishmërinë për avancimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.

Në frymën e miqësisë dhe partneritetit ndërmjet dy vendeve, Ministri Sveçla e ftoi homologun japonez për një vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës, me qëllim të njohjes nga afër me zhvillimet dhe progresin e arritur, si dhe identifikimit të mundësive të reja për bashkëpunim.