Diplomoi gjenerata e 63-të e Policisë së Kosovës
Prishtinë
Në një ceremoni solemne u mbajt diplomimi i gjeneratës së 63-të të Policisë së Kosovës. Në këtë ceremoni morën pjesë Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, znj. Albulena Haxhiu, Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, ministri i Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla, ministra të Qeverisë, zëvendësministra, drejtues të institucioneve të sigurisë, ambasadorë të akredituar në Kosovë, familjarë të kadetëve, si dhe mysafirë të tjerë.
Në vijim gjeni të plotë fjalimin e ministrit Sveçla në këtë ceremoni;
E nderuar Kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës, znj. Albulena Haxhiu,
I nderuar Kryeministër, z. Albin Kurti,
I nderuar Ushtrues Detyre i Drejtorit të Policisë, z. Fehmi Hoti,
I nderuar Drejtor i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, z. Petrit Ajeti,
I nderuar Kryeprokuror i Shtetit z. Zejnulla Gashi,
Të nderuar Ministra, Zëvëndësministra, Deputetë,
Të nderuar krerë dhe përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare,
Të nderuar eprorë dhe instruktorë të Policisë së Kosovës,
Të nderuar familjarë të policëve të rënë në krye të detyrës,
Të dashur kadetë,
Të nderuar familjarë të kadetëve,
Zonja dhe zotërinj,
Policia e Kosovës është shumë më tepër se një institucion që kujdeset për sigurinë dhe rendin. Ajo është një nga simbolet e shtetësisë sonë, e besimit të qytetarëve dhe e përpjekjes sonë për të ndërtuar një vend ku ligji vlen për të gjithë dhe ku secili qytetar ndihet i sigurt dhe i mbrojtur.
Një polici e fortë nuk është vetëm ajo që përballet me sfidat e sigurisë. Është edhe ajo që di të jetë pranë qytetarit, që e dëgjon, e respekton dhe e trajton me dinjitet. Besimi i qytetarëve fitohet çdo ditë, në çdo ndërveprim dhe në çdo vendim që merret gjatë ushtrimit të detyrës.
Brezave të rinj ashtu edhe atyre para nesh që kanë kontribuar përgjatë gjithë historisë sonë , ua kemi borgj një Republikë ku askush nuk është mbi ligjin, ku krimi dhe korrupsioni nuk gjejnë mbrojtje dhe ku askush nuk ndihet i pambrojtur përballë padrejtësisë. Prandaj, lufta kundër krimit të organizuar, korrupsionit, kontrabandës dhe çdo forme të paligjshmërisë do të vazhdojë pa kompromis.
Këto janë vlera për të cilat kemi punuar dhe për të cilat duhet të vazhdojmë të punojmë: një vend më i drejtë, më i sigurt dhe me më shumë mundësi për të gjithë. Një vend ku liria, barazia dhe drejtësia nuk mbeten vetëm parime, por bëhen pjesë e jetës së përditshme të secilit qytetar.
Në këtë rrugëtim, Policia e Kosovës ka një rol të pazëvendësueshëm. Prandaj, diplomimi i Gjeneratës së 63-të është një moment i rëndësishëm, jo vetëm për ju që sot përmbyllni përgatitjen tuaj, por edhe për Policinë dhe për vendin tonë, të cilit i bashkohet një gjeneratë e re e gatshme për të marrë përgjegjësinë e shërbimit ndaj qytetarëve.
Të dashur djem e vajza,
Sot po përmbyllni një fazë të rëndësishme të përgatitjes suaj dhe po nisni një rrugëtim të ri, atë të shërbimit ndaj Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj. Ky profesion kërkon përkushtim të vazhdueshëm, disiplinë, guxim dhe gatishmëri për të marrë përgjegjësi, edhe në rrethanat më sfiduese.
Dua t'ju kujtoj se uniforma që do të bartni nuk është simbol i pushtetit mbi qytetarët, por i përgjegjësisë ndaj tyre. Ajo përfaqëson besimin e Republikës dhe pritshmëritë e qytetarëve që të jeni pranë tyre, t'i mbroni, t'i trajtoni me drejtësi dhe të garantoni zbatimin e ligjit.
Betimi juaj sot është zotim për mbrojtjen e Kushtetutës sonë, zbatimin e ligjit pa përjashtim, luftimin e krimit dhe ruajtjen e rendit kushtetues. Përgjegjësia juaj nuk kufizohet vetëm në ushtrimin e detyrave policore, por kërkon që në çdo rrethanë të veproni me paanshmëri, maturi dhe integritet.
Autoriteti juaj si zyrtarë policorë nuk do të mbështetet vetëm në kompetencat që ju njeh ligji, por edhe në besimin që qytetarët do të kenë në integritetin dhe profesionalizmin tuaj. Një zyrtar policor duhet të jetë i vendosur përballë krimit, por njëkohësisht i respektueshëm dhe i përgjegjshëm ndaj qytetarit. Mënyra se si e ushtroni detyrën është po aq e rëndësishme sa rezultatet që arrini.
Në veçanti, dua t'u drejtohem vajzave që sot diplomojnë dhe bëhen pjesë e Policisë së Kosovës. Prania juaj në këtë gjeneratë dëshmon rëndësinë e mundësive të barabarta dhe rolit që gratë duhet të kenë në të gjitha nivelet e institucioneve tona.
Profesionalizmi, aftësia dhe përkushtimi duhet të jenë kriteret që përcaktojnë angazhimin dhe avancimin në karrierë, e jo gjinia apo paragjykimet. Gratë duhet të jenë pjesë e barabartë e vendimmarrjes, udhëheqjes dhe përgjegjësisë institucionale. Ju jeni shembull frymëzimi për gjeneratat që vijnë dhe dëshmi se shërbimi ndaj Republikës është një përgjegjësi dhe mundësi e barabartë për të gjithë.
Kjo gjeneratë merr një domethënie edhe më të veçantë, pasi në mesin e të diplomuarve janë edhe djemtë e dy heronjve të Policisë së Kosovës, Enver Zymerit dhe Afrim Bunjakut, Sokoli dhe Jetlumi.
Baballarët tuaj dhanë jetën në shërbim të Republikës, duke dëshmuar përkushtimin më të lartë ndaj atdheut dhe qytetarëve të tij. Sot, ju po nisni rrugëtimin tuaj në të njëjtin institucion të cilit ata i shërbyen me guxim dhe dinjitet. Prania juaj në këtë gjeneratë është krenari për familjet tuaja, për Policinë e Kosovës dhe për të gjithë ne. Sakrifica e heronjve Enver Zymeri, Afrim Bunjaku dhe e gjithë zyrtarëve të rënë në krye të detyrës do të mbetet përherë pjesë e historisë së Policisë së Kosovës dhe e kujtesës sonë kolektive.
Ju uroj që këtë rrugëtim ta vazhdoni me krenarinë e trashëgimisë që mbani, por mbi të gjitha me përkushtimin, integritetin dhe përgjegjësinë për t'i shërbyer Republikës dhe qytetarëve të saj.
Të nderuar familjarë,
Kjo ditë është edhe meritë e juaja. Pas këtij suksesi qëndrojnë mbështetja, sakrifica dhe besimi që u keni dhënë bijve dhe bijave tuaja gjatë gjithë këtij rrugëtimi. Përkrahja juaj ka qenë thelbësore për arritjen e tyre dhe, për këtë, ju shpreh mirënjohjen time.
Të dashur kadetë policorë,
Bëhuni një gjeneratë që kontribuon në forcimin e Policisë së Kosovës, në rritjen e besimit të qytetarëve, në luftimin pa kompromis të krimit të çfarëdo natyre dhe prej kujtdo që vjen dhe në mbrojtjen e secilit qytetar, pa dallim. Vazhdoni ta lartësoni Policinë e Kosovës si një nga institucionet më të besueshme të vendit. Por mos u mjaftoni me rezultatet e arritura deri më sot. Kërkoni vazhdimisht më shumë nga vetja, nga profesionalizmi juaj dhe nga përgjegjësia që mbani.
Dua t'ju siguroj se në këtë rrugëtim nuk do të jeni vetëm. Mbështetja jonë për Policinë e Kosovës dhe për secilin prej jush do të vazhdojë, me qëllim që të keni kushtet, mundësitë dhe përkrahjen e nevojshme për ta kryer sa më mirë detyrën tuaj.
Dua t'ju siguroj se në këtë rrugëtim nuk do të jeni vetëm. Mbështetja jonë për Policinë e Kosovës dhe për secilin prej jush do të vazhdojë. Si Qeveri kemi mbështetur në vazhdimësi Policinë e Kosovës me qëllim që të keni kushtet, mundësitë dhe përkrahjen e nevojshme për ta kryer sa më mirë detyrën tuaj. Buxhetin e kemi rritur për 60%, pra nga 109 në 173 milionë euro ndërsa, buxheti i alokuar dhe i shpenzuar për Policinë e Kosovës për 5 vitet e fundit është 732 milionë euro.
Nuk ka dhe nuk do të ketë procedura administrative e të prokurimit që do ta ndalin përkushtimin tonë dhe zhvillimin e Policisë së Kosovës.
Eprorët dhe menaxhmenti policor duhet të sigurohen që kjo mbështetje e dhënë nga ne të reflektojë në tërësi në efikasitetin e detyrave tuaja.
Suksesi juaj në shërbim të qytetarëve është edhe përgjegjësi dhe synim i yni i përbashkët.
Barteni uniformën e Policisë së Kosovës me krenari, por edhe me përulësi; me guxim, por edhe me maturi; dhe, mbi të gjitha, me integritet.
Urime diplomimi dhe ju priftë e mbara në shërbim të Republikës dhe qytetarëve të saj!
Faleminderit!