Fjalimi i plotë I Ministrit të Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla, në konferencën e sotme për media
Prishtinë
Të nderuar gazetarë,
Të dashur qytetarë,
Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Republikës së Kosovës kam ngritur dyshimet lidhur me mos menaxhimin e duhur të rastit të Arlinda Zekaj. Përmes IPK kemi verifikuar të gjitha veprimet dhe mosveprimet e Policisë së Kosovës.
Këto 72 orë kanë qartësuar dhe konfirmuar shqetësimet që kemi ngritur, duke nxjerrë në pah dështime serioze në trajtimin e raportimeve dhe në përmbushjen e përgjegjësive institucionale për mbrojtjen e jetës së saj.
Raportin mbi veprimet e ndërmarra nga Policia e Kosovës dhe Inspektorati Policor i Kosovës ia kam dorëzuar dje Kryeministrit Kurti. Bazuar në gjetjet e evidentuara deri në këtë fazë, dje janë suspenduar 11 zyrtarë policorë, përfshirë:
- Drejtorin Rajonal të Policisë në Pejë;
- Shefin e Hetimeve Rajonale në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Pejë;
- Komandantin e Stacionit Policor në Pejë;
- Zëvendëskomandantin e Stacionit Policor në Pejë;
- Shefin e Sektorit të Hetimeve në Stacionin Policor në Pejë;
- Shefin e Sektorit të Operativës në Stacionin Policor në Pejë;
- Komandantin e Nënstacionit Policor në Vitomiricë;
- Katër hetues të Stacionit Policor në Pejë.
Gjetjet e raportit, të cilat pres të trajtohen dhe vlerësohen edhe nga Prokuroria, evidentojnë shkelje serioze nga disa zyrtarë policorë dhe pjesëtarë të zinxhirit komandues në Pejë. Ndër shkeljet e identifikuara përfshihen:
- Mosekzekutimi i urdhrit të parë për mbrojtje;
- Vonesat në ekzekutimin e urdhrit të dytë për mbrojtje;
- Mospërfillja e kërkesës për rivlerësimin e rrezikut dhe mosndërmarrja e masave të nevojshme për ngritjen e kapaciteteve policore në funksion të garantimit të sigurisë së Arlindës.
Këto janë ndër shkeljet më serioze të evidentuara deri në këtë fazë, ndërsa hetimet e mëtejshme mund të nxjerrin në pah edhe fakte dhe përgjegjësi të tjera.
Dua ta bëj të qartë se asnjë suspendim nuk mund të konsiderohet i mjaftueshëm pa një hetim të plotë dhe të mirëfilltë, si dhe pa përcaktimin e përgjegjësisë para ligjit për çdo neglizhencë, për çdo raportim që nuk u mor seriozisht dhe për çdo paralajmërim që Arlinda bëri për rrezikun ndaj jetës së saj, por që nuk mori reagimin e duhur institucional.
Asnjë uniformë, asnjë gradë dhe asnjë pozitë komanduese nuk mund të shërbejë si mburojë ndaj përgjegjësisë. Kur bëhet fjalë për jetën e qytetarëve, neglizhenca nuk mund të arsyetohet, dështimi nuk mund të relativizohet dhe përgjegjësia nuk mund të shmanget.
Të dashur qytetarë,
Arlinda kishte kërkuar mbrojtje. Institucionet kishin detyrimin të vepronin. Sot, përgjegjësia jonë është të sigurohemi që çdo veprim dhe mosveprim të hetohet deri në fund.
Përtej veprimeve që lidhen drejtpërdrejt me këtë rast, përgjegjësia jonë është të sigurohemi që të gjitha rastet e tjera të identifikuara të trajtohen me seriozitetin, urgjencën dhe vëmendjen e duhur institucionale.
Në këtë drejtim, me kërkesë të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, është përpiluar edhe një raport i veçantë për rastet aktive me rrezikshmëri të lartë, të cilat aktualisht janë duke u monitoruar nga Policia e Kosovës.
Sipas këtij raporti, janë evidentuar 155 raste aktive me rrezikshmëri të lartë, për të cilat Policia e Kosovës ka raportuar individualisht mbi veprimet e ndërmarra dhe masat e zbatuara për trajtimin e tyre. Po ashtu, janë përfshirë edhe raportimet për rastet e vlerësuara me rrezikshmëri të mesme dhe të ulët.
Njëkohësisht, siç jeni në dijeni, që nga viti i kaluar kemi siguruar pajisjet dhe mekanizmat e nevojshëm për mbikëqyrjen elektronike, si një instrument shtesë në funksion të forcimit të mbrojtjes dhe sigurisë së personave në rrezik. Aktualisht, 70 raste janë nën monitorim elektronik.
Megjithatë, dua të theksoj se asnjë mekanizëm mbrojtës, asnjë pajisje teknologjike dhe asnjë procedurë institucionale nuk mund ta zëvendësojë përgjegjësinë njerëzore dhe profesionale të atyre që kanë për detyrë të veprojnë në kohë dhe në përputhje me ligjin.
Prandaj, krahas hetimit të plotë të rastit të Arlindës, është e domosdoshme që gjetjet e evidentuara të shërbejnë edhe për identifikimin dhe adresimin e mangësive në procedurat dhe mekanizmat institucionalë për trajtimin e rasteve të dhunës në familje dhe mbrojtjen e viktimave.
Çdo qytetare dhe qytetar që kërkon mbrojtje nga institucionet e Republikës së Kosovës duhet të ketë sigurinë se zëri i tyre do të dëgjohet, raportimi i tyre do të trajtohet me seriozitet dhe jeta e tyre do të mbrohet. Për tu arritur kjo, duhet i gjithë zingjiri i institucioneve përgjegjëse të funksionojë. Nuk guxojmë të lejojmë asnjë hallkë që të dështojë.
Ky është detyrimi ynë institucional dhe standardi nga i cili nuk mund dhe nuk duhet të ketë asnjë shmangie.