Në MPB u mbajt takimi i radhës i Autoritetit Kombëtar Kundër Trafikimit me Njerëz
Prishtinë
Në Ministrinë e
Punëve të Brendshme u mbajt takimi i radhës i Autoritetit Kombëtar Kundër
Trafikimit me Njerëz, të cilin e udhëhoqi zëvendësministri i Ministrisë së
Punëve të Brendshme, z. Viktor Buzhala.
Në këtë takim,
Autoriteti diskutoi për angazhimet e institucioneve të Republikës së Kosovës
gjatë periudhës paraprake, sidomos në parandalimin dhe luftimin e trafikimit me
njerëz, si dhe për koordinimin e mëtejmë me qëllim të luftimit sa më efikas të
këtij fenomeni.
Gjatë takimit u
trajtuan edhe rekomandimet e Raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit për
Trafikimin e Njerëzve (TIP Raporti), me theks të veçantë në forcimin e
përpjekjeve për hetimin, ndjekjen penale dhe dënimin e trafikantëve.
Me këtë rast,
zëvendësministri Viktor Buzhala kërkoi nga anëtarët e Autoritetit angazhim të
vazhdueshëm, me qëllim të rritjes së bashkëpunimit ndërinstitucional për
trajtimin e rekomandimeve të raportit, identifikimin dhe mbrojtjen e viktimave,
si dhe përmirësimin e mekanizmave për parandalimin e kësaj dukurie.
Duke qenë se
tetori shënon Muajin e Fushatës Kundër Trafikimit me Njerëz, u theksua rëndësia
e intensifikimit të aktiviteteve vetëdijesuese dhe informuese për qytetarët, me
qëllim të identifikimit të hershëm të rasteve, informimit për format e trafikimit
dhe nxitjes së raportimit të rasteve të dyshuara.
Ministria e
Punëve të Brendshme, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse dhe partnerët
relevantë, mbetet e përkushtuar në forcimin e masave parandaluese, luftimin e
trafikimit me njerëz dhe garantimin e mbrojtjes së të drejtave dhe dinjitetit
të viktimave.