Ministri Sveçla takoi Shefin e Komandës së Përgjithshme të Armatës së Karabinierëve në Itali

Prishtinë

Në kuadër të vizitës zyrtare në Itali, Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Svecla u prit në Komandën e Përgjithshme të Armatës së Karabinierëve (Arma dei Carabinieri), nga Shefi i Shtabit të Komandës, Gjenerali Andrea Taurelli Salimbeni.

 

Ministri Sveçla njoftoi Gjeneralin Salimbeni për progresin e arritur në Republikën e Kosovës në fushën e sigurisë, si dhe shprehu mirënjohjen për kontributin e pjesëtarëve të Karabinierëve në Kosovë, në mbështetje të institucioneve të vendit dhe në funksion të ruajtjes së sigurisë, paqes dhe stabilitetit.

 

Temë e takimit ishte ndër të tjera edhe themelimi dhe zhvillimi i Xhandarmërisë së Republikës së Kosovës, si një prioritet i Qeverisë që tashmë MPB ka filluar ta jetësojë. Në këtë drejtim, u shkëmbyen pikëpamje mbi mundësitë për thellimin e bashkëpunimit, me fokus në shkëmbimin e përvojave dhe ekspertizës profesionale, si dhe në zbatimin e standardeve dhe praktikave më të mira për zhvillimin e kësaj komponente të sigurisë. Me një traditë mbi 212 vjeçare, Armata e Karabinierëve përfaqëson një nga institucionet më të konsoliduara të sigurisë në Evropë, duke ndërthurur funksionet me disiplinën institucionale dhe përvojën e gjerë në operacionet ndërkombëtare të sigurisë dhe stabilitetit.

 

Ministri Sveçla theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë për forcimin e kapaciteteve institucionale dhe avancimin e mëtejmë të sigurisë në vend. Thellimi i partneriteteve dhe bashkëpunimi në fusha me interes të përbashkët mbeten të rëndësishme për garantimin e sigurisë, ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, si dhe mbrojtjen e qytetarëve të Republikës së Kosovës.


Skedarët për shkarkim