Ministria e Punëve të Brendshme nis procesin e hartimit të Planit të Veprimit 2026–2028 të Strategjisë Shtetërore për Parandalimin dhe Luftimin e Terrorizmit
Prishtinë
Ministria e Punëve të Brendshme mbajti takimin e parë të Grupit Punues për rishikimin dhe hartimin e Planit të Veprimit 2026–2028 për zbatimin e Strategjisë Shtetërore për Parandalimin dhe Luftimin e Terrorizmit 2023–2028. Takimi u fokusua në vlerësimin e rezultateve të zbatimit të planit paraprak, identifikimin e sfidave dhe përcaktimin e prioriteteve për periudhën e ardhshme.
Gjatë takimit u prezantuan gjetjet e vlerësimit të Planit të Veprimit 2023–2025, të cilat evidentojnë progres në zhvillimin e kapaciteteve të sigurisë së teknologjisë informative, specializimin e kuadrove dhe forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, rajonal dhe ndërkombëtar. Njëkohësisht, u theksua nevoja për t'iu përgjigjur zhvillimeve të vazhdueshme të kërcënimeve nga terrorizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm, përfshirë format e reja të radikalizimit dhe shfrytëzimin e teknologjisë nga individët dhe grupet ekstremiste.
Plani i ri i Veprimit do të mbështetet në katër objektivat strategjike: parandalimin, mbrojtjen, ndjekjen dhe reagimin, duke përfshirë përditësimin e masave ekzistuese dhe përcaktimin e aktiviteteve të reja në përputhje me zhvillimet e sigurisë dhe nevojat institucionale. Ministria e Punëve të Brendshme mbetet e përkushtuar në forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe avancimin e mekanizmave për parandalimin dhe luftimin e terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, në funksion të garantimit të sigurisë së qytetarëve dhe mbrojtjes së Republikës së Kosovës