U miratua Projektligji për Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave
Prishtinë
Në mbledhjen e shtatë të Qeverisë, u miratua Projektligji për Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, i cili përcakton misionin, organizimin, funksionimin, kompetencat dhe përgjegjësitë e Agjencisë në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Ky Projektligj synon të krijojë një kornizë të qartë ligjore për menaxhimin e emergjencave, duke përfshirë vlerësimin dhe zvogëlimin e rreziqeve, planifikimin e masave mbrojtëse, sistemet e monitorimit dhe paralajmërimit të hershëm, si dhe organizimin dhe koordinimin e strukturave të mbrojtjes, shpëtimit dhe ndihmës.
Gjithashtu, projektligji rregullon hartimin e planit kombëtar të reagimit emergjent, përgatitjen dhe vlerësimin e gatishmërisë kombëtare, si dhe krijimin dhe mirëmbajtjen e rezervave materiale për përballimin e situatave emergjente.
Përmes kësaj reforme, synojmë qartësimin e përgjegjësive institucionale, forcimin e koordinimit ndërinstitucional dhe ngritjen e kapaciteteve për parandalim, gatishmëri dhe reagim efektiv ndaj fatkeqësive natyrore dhe emergjencave të tjera.