Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Genc Metaj, mori pjesë në takimin e Ministrave të Brendshëm në kuadër të Procesit të Berlinit

Prishtinë

Delegacioni i MPB-së, i udhëhequr nga Sekretari i Përgjithshëm, z. Genc Metaj, mori pjesë në takimin e Ministrave të Brendshëm të Procesit të Berlinit, të zhvilluar në Podgoricë me 16 shtator, ku u diskutua për disa prej sfidave kryesore të sigurisë në rajon dhe më gjerë, përfshirë kërcënimet hibride, krimin e organizuar, menaxhimin e kufinjve dhe migracionin e paligjshëm.

 

Gjatë takimit, Kosova rikonfirmoi angazhimin e saj për forcimin e kapaciteteve në luftimin e kërcënimeve hibride dhe krimin e organizuar, në menaxhimin e kufirit dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional, rajonal dhe ndërkombëtar.

 

Në kuadër të forcimit të sigurisë në zonat kufitare, u theksua edhe procesi i krijimit të Xhandarmërisë në Kosovë, e cila do të jetë përgjegjëse për sigurimin e kufirit tokësor dhe luftimin e aktiviteteve të paligjshme ndërkufitare, duke kontribuar në rritjen e sigurisë dhe reagimit institucional.

 

Diskutimet u fokusuan gjithashtu në forcimin e qëndrueshmërisë ndaj kërcënimeve hibride. Në këtë drejtim, Republika e Kosovës ritheksoi sulmet hibride dhe të sigurisë ndaj të cilave është përballur gjatë katër viteve të fundit. Në këtë kontekst, u theksua edhe qasja destruktive e Serbisë, e cila përmes veprimeve dhe narrativave që nxisin tensione, paraqet një sfidë të vazhdueshme për sigurinë dhe stabilitetin rajonal. Shqetësimi u ndërlidh edhe me rastet e glorifikimit publik të personave të dënuar për krime lufte dhe gjenocid, duke nënvizuar nevojën për qëndrueshmëri më të madhe ndaj këtyre formave të kërcënimeve hibride.

 

Gjithashtu u theksua edhe nevoja e zbatimit të plotë të gjitha marrëveshjeve në kuadër të Procesit të Berlinit, dhe rëndësia e arritjes së marrëveshjeve të reja në kuadër të këtij procesi. 

 

Republika e Kosovës shprehu gatishmërinë e plotë për të vazhduar kontributin aktiv në forcimin e sigurisë dhe stabilitetit rajonal, përmes bashkëpunimit të ngushtë me partnerët rajonalë dhe ndërkombëtarë, shkëmbimit të përvojave dhe koordinimit të përbashkët në adresimin e sfidave të sigurisë.


Skedarët për shkarkim