Zëvendësministri Dugolli priti në takim zëvendësministrin e Brendshëm të Maqedonisë së Veriut, Astrit Iseni
Prishtinë
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Astrit Iseni, po qëndron në një vizitë zyrtare në Kosovë, ku është pritur nga ministri i Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla dhe zëvendësministri i Punëve të Brendshme, z. Enver Dugolli, të cilit i uruan mirëseardhje në Kosovë.
Në këtë takim u theksua bashkëpunimi i mirë në mes të dy vendeve, në veçanti bashkëpunimi i shkëlqyer që ekziston mes dy ministrive të brendshme, duke vënë në pah nevojën për të adresuar sfidat që dalin, sidomos në fushën e sigurisë dhe zbatimit të ligjit.
Zëvendësministri Dugolli, po ashtu, vuri theksin në prioritetet që ka Ministria e Punëve të Brendshme, me qëllim të krijimit të një klime më të sigurt dhe krijimit të një ambienti ku vendi ynë, Kosova, të vazhdojë të cilësohet si ndër vendet më të sigurta në Evropë dhe Botë.
Gjatë takimit u diskutua për fusha të shumta të përbashkëta që i kanë të dy vendet, sidomos ato që janë edhe pjesë e marrëveshjeve mes dy vendeve për kalimet kufitare, lehtësirave që u ofrohen sidomos banorëve të vijës së kufirit në të dy vendet.
Gjatë kësaj vizite, të dy zëvendësministrat vizituan Qendrën Kombëtare të Menaxhimit të Kufirit, ku panë nga afër procedurat që ndiqen nga kjo qendër në menaxhimin e të gjithë kufijve të Republikës së Kosovës, në veçanti pikat e kalimit kufitar me Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Zëvendësministri Dugolli dhe zëvendësministri Iseni vizituan edhe Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, ku u njohën me programet e akademisë, në të cilat aftësohen zyrtarët policorë, ata të shërbimit korrektues, doganës, si dhe zjarrfikësit.
Bashkërisht me kadetët, të dy zëvendësministrat drekuan në mensën e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike. Njëkohësisht, diskutuan me djemtë e heronjve të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku dhe Enver Zymberi, kadetët Jetlum Bunjaku dhe Sokol Zymberi, të cilët, pas përfundimit të akademisë, do të ndjekin hapat e prindërve të tyre në shërbim të sigurisë dhe jetës së qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Në fund të vizitës, të dy zëvendësministrat vizituan Agjencinë për Regjistrimin Civil, ku u njoftuan për lehtësirat e vazhdueshme me qëllim që qytetarët të marrin shërbime më të shpejta dhe cilësore, si dhe angazhimin që po bëhen në digjitalizimin e shumë shërbimeve.
Zëvendësministri, z. Astrit Iseni e falënderoi për mikpritjen zëvendësministrin, z. Enver Dugolli, duke theksuar përkushtimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme për të shtyrë përpara agjendat që kanë për qëllim krijimin e stabilitetit dhe të sigurisë në të dy vendet, njëkohësisht duke vazhduar luftën e pa kompromis ndaj grupeve kriminale që veprojnë në dy vendet dhe, në shumë raste, bashkëpunojnë ndërmjet veti