Gjendja me zjarret në Republikën e Kosovës këtë vit është shumë më e mirë

Prishtinë

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, z. Enver Dugolli, është takuar me u.d. drejtorin e Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave, z. Shefki Avdullahun, për të vlerësuar gjendjen e përgjithshme sa i përket përballjes dhe menaxhimit të zjarreve, veçanërisht tashmë, në këto temperatura të larta që po mbretërojnë në Republikën e Kosovës.

Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan se, krahasuar me vitin e kaluar, por edhe me situatën në rajon, fatmirësisht gjendja në vendin tonë është dukshëm më e mirë. Në takim u theksua se drejtoritë komunale për Mbrojtje dhe Shpëtim, si dhe njësitë e zjarrfikësve nëpër komuna dhe regjione, janë duke e menaxhuar me sukses situatën dhe se, deri tani, nuk ka raste të përmasave që kërkojnë angazhimin e niveleve të dyta apo të treta të reagimit.

Megjithatë, zëvendësministri Dugolli bëri thirrje për kujdes dhe përgjegjësi nga secili qytetar, me qëllim që të parandalohen rastet e zjarrvënies së qëllimshme. Ai u bëri thirrje qytetarëve që të raportojnë menjëherë çdo rast zjarri, si dhe çdo dyshim për zjarrvënie të qëllimshme.

Zëvendësministri Dugolli theksoi se zjarrvënia e qëllimshme është vepër penale dhe e dënueshme me ligj, duke shtuar se institucionet do të veprojnë fuqishëm ndaj secilit që, me veprimet e tij, rrezikon jetën, pronën dhe sigurinë publike.

Në këtë takim, po ashtu, u bëhet thirrje pronarëve të tokave, fermerëve dhe bujqve që të mos djegin hamulloret dhe mbetjet bimore, pasi djegia e tyre mund të shkaktojë zjarre të pakontrollueshme dhe të paraqesë rreziqe të shumta për jetën dhe pronën e qytetarëve.



Skedarët për shkarkim