Zëvendësministri Dugolli vizitoi Agjencinë e Regjistrimit Civil
Prishtinë
Zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, z. Enver Dugolli, ka vizituar sot Agjencinë e Regjistrimit Civil (ARC), ku është pritur nga Drejtori Ekzekutiv, z. Jetmir Haziri.
Gjatë takimit, të dy bashkëbiseduesit diskutuan për çështje me interes të drejtpërdrejtë për qytetarët, me fokus në avancimin dhe digjitalizimin e shërbimeve, si dhe në ndërlidhjen e sistemeve me institucionet e tjera, me qëllim lehtësimin e shërbimeve për qytetarët.
Me këtë rast, zëvendësministri Dugolli e uroi drejtorin Haziri për detyrën e re, duke i ofruar mbështetjen e Ministrisë për adresimin e sfidave dhe realizimin e objektivave të ARC-së.
Zëvendësministri Dugolli vuri në pah se bashkëpunimi ndërinstitucional dhe modernizimi i shërbimeve janë thelbësore për një administratë më efikase, më të qasshme dhe më pranë qytetarëve.