Zëvendësministri Dugolli vizitoi Qendrën Kombëtare për Menaxhimin e Kufirit

Prishtinë

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, z. Enver Dugolli vizitoi sot Qendrën Kombëtare për Menaxhimin e Kufirit (QKMK), ku u prit nga Koordinatori i kësaj qendre, z. Samir Krasniqi.

Me këtë rast, zëvendësministri Dugolli u njoh nga afër me funksionet e kësaj qendre, punët e përditshme që kryhen në menaxhimin e integruar të kufirit, si dhe me bashkëpunimin e shkëlqyer që kanë tri agjencitë shtetërore përgjegjëse për menaxhimin e kufirit të Republikës së Kosovës.

Në këtë takim u konstatua progresi i vazhdueshëm i QKMK-së, i cili ka ardhur falë investimeve që ka bërë Qeveria e Kosovës dhe ndihmës së donatorëve të shteteve mike, në veçanti të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Këto investime janë shndërruar në rezultate konkrete në luftimin e të gjitha llojeve të krimit, sidomos atij ndërkufitar.

Zëvendësministri Dugolli i përgëzoi për të arriturat e kësaj qendre dhe u rikonfirmoi qëndrimet e tij se, nga pozita që ushtron, do t’i mbështesë të gjitha kërkesat që kanë objektiva të qarta për avancimin e mëtejmë të kësaj qendre, në mënyrë që të vazhdojë modernizimi i kapaciteteve dhe formave të punës, të cilat do të ndihmojnë në luftimin e krimit dhe dukurive negative.

 

Zëvendësministri Dugolli riafirmoi përkushtimin për mbështetjen e Qendrës për forcimin e kapaciteteve në funksion të menaxhimit efikas të kufijve shtetërorë të Republikës së Kosovës.