Ministria e Punëve të Brendshme prezanton progresin e Republikës së Kosovës në Takimin e 15-të Rajonal të Koordinimit për zbatimin e Udhërrëfyesit për Armët e Vogla dhe të Lehta
Prishtinë
Delegacioni i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, i udhëhequr nga Sekretari i Përgjithshëm, z. Genc Metaj, po merr pjesë në Takimin e 15-të Rajonal të Koordinimit për zbatimin e Udhërrëfyesit për Kontrollin e Armëve të Vogla dhe të Lehta, i cili po zhvillohet në Podgoricë.
Në kuadër të këtij takimi, delegacioni i MPB-së prezantoi progresin e arritur në zbatimin e reformave dhe politikave në fushën e kontrollit të armëve të vogla dhe të lehta dhe lëndëve plasëse. Në veçanti, u theksuan rezultatet e arritura në zbatimin e Udhërrëfyesit Rajonal për Armët e Vogla dhe të Lehta, zbatimin e Strategjisë për Armët e Vogla dhe të Lehta dhe Lëndët Plasëse, miratimin e Ligjit të ri për Lëndët Plasëse, si dhe forcimin e vazhdueshëm të kapaciteteve institucionale dhe profesionale, me qëllim rritjen e efektivitetit të mekanizmave parandalues dhe të sistemit të kontrollit të armëve.
Gjatë diskutimeve u riafirmua angazhimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme për avancimin e reformave institucionale dhe të kornizës legjislative në këtë fushë, në përputhje me standardet evropiane dhe praktikat më të mira ndërkombëtare. Njëkohësisht, u theksua gatishmëria e Ministrisë së Punëve të Brendshme për të vazhduar bashkëpunimin me partnerët rajonalë dhe ndërkombëtarë, duke kontribuar në forcimin e sigurisë, stabilitetit dhe besimit të ndërsjellë në rajon.