Njoftim për zbatimin e plotë të Sistemit të HyrjeDaljes EES në Zonën Schengen
Prishtinë
Ministria e Punëve të Brendshme njofton të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se Sistemi i Hyrje/Daljes (Entry/Exit System – EES) i Bashkimit Evropian nga sot (10 prill 2026) do të zbatohet plotësisht në të gjitha pikat e kalimit kufitar të Zonës Schengen.
Siç kemi njoftuar më parë, ky sistem ka filluar të zbatohet gradualisht nga 12 tetor 2025 deri në arritjen e zbatimit të plotë.
Sistemi EES është një sistem i automatizuar dhe biometrik që regjistron hyrjet dhe daljet e shtetasve të vendeve jo-anëtare të BE-së, përmes mbledhjes së të dhënave si:
- gjurmët e gishtërinjve;
- fotografia e fytyrës;
- të dhënat e dokumentit të udhëtimit.
Nga 10 prilli 2026, ky sistem zëvendëson plotësisht vulosjen manuale të pasaportave dhe mundëson identifikimin automatik të qëndrimeve të tejkaluara.
Qytetarët e Republikës së Kosovës mund të udhëtojnë pa vizë në Zonën Schengen për qëndrime afatshkurtra (deri në 90 ditë brenda çdo periudhe 180-ditore), duke plotësuar këto kushte:
- Të posedojnë pasaportë biometrike valide (e vlefshme të paktën 3 muaj pas datës së kthimit);
- Të justifikojnë qëllimin e udhëtimit (turizëm, vizitë familjare, biznes, etj.);
- Të kenë dëshmi të mjeteve të mjaftueshme financiare për qëndrimin;
- Të kenë biletë kthimi ose dëshmi për vazhdimin e udhëtimit;
- Të mos jenë në listat e ndalimit të hyrjes në Schengen.