Në Mitrovicën e Veriut u mbajt tryezë me OJQ-të për fushatën për Ligjin për të Huaj dhe Ligjin për Automjete
Prishtinë
Në kuadër të fushatës vetëdijësuese për Ligjin për Automjete dhe Ligjin për të Huaj, zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme kanë mbajtur sot një tryezë me përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile në Mitrovicën e Veriut.
Në këtë tryezë morën pjesë: Sekretari i Përgjithshëm i MPB-së, z. Genc Metaj, Shefja e Kabinetit të Ministrit, znj. Jeta Tela, Drejtori i Përgjithshëm i ARC-së, z. Jetmir Haziri, zyrtarë të lartë nga Policia e Kosovës, zyrtarë të lartë të MPB-së, si dhe përfaqësues të OJQ-ve.
Në këtë takim, Shefja e Kabinetit të Ministrit, znj. Jeta Tela, theksoi se qëllimi i kësaj tryeze është informimi i drejtpërdrejtë i OJQ-ve, përfshirë ato që përfaqësojnë komunitetet jo-shumicë, për fushatën që është duke e zhvilluar Ministria e Punëve të Brendshme për këto dy ligje.
Me këtë rast, znj. Tela konstatoi se këto nuk janë ligje të reja, pasi Ligji për të Huaj është në fuqi që nga viti 2013, ndërsa Ligji për Automjete që nga viti 2017. Megjithatë, institucionet janë duke zhvilluar këtë fushatë me qëllim që qytetarët, vizitorët e huaj dhe të huajt që hyjnë në Kosovë të kenë informacionet e duhura për të drejtat dhe detyrimet e tyre ligjore.
“Në vazhdën e përmirësimit të shërbimeve dhe ofrimit të tyre sa më afër qytetarëve, Ministria e Punëve të Brendshme ka punuar njëkohësisht edhe në decentralizimin e shërbimeve. Pra, tash përveç në Prishtinë, do të ofrohet mundësia për aplikim për leje qëndrimi edhe në tri rajone të tjera: në Mitrovicën e Veriut, Gjilan dhe Prizren, në mënyrë që të gjithë ata që preken nga Ligji për të Huaj, përfshirë edhe komunat e pjesës veriore, të kenë qasje më të lehtë dhe më të shpejtë në këto shërbime.”
Ministria e Punëve të Brendshme, me këtë rast, shpreh zhgënjimin e saj pasi disa organizata të shoqërisë civile nga komuniteti serb kanë zgjedhur të bojkotojnë këtë takim të zakonshëm informues, duke mos shfrytëzuar mundësinë që kanë pasur për të kontribuar në informimin e komuniteteve që përfaqësojnë apo të të huajve që qëndrojnë në komunat e tyre, si dhe të marrin pjesë në diskutime rreth këtyre ligjeve.
Megjithatë, Ministria e Punëve të Brendshme do të vazhdojë të mbajë takime informuese për një komunikim të hapur me qytetarët dhe organizatat. Po ashtu, u bëhet thirrje qytetarëve që të mos bien pre e dezinformatave dhe për çdo informacion të saktë të ndjekin kanalet zyrtare të MPB-së dhe Policisë së Kosovës.
Gjithashtu zyrtarët e MPB-së vizituan dhe zyrtarët përgjegjës për pranim të aplikimeve për Ligjin për të Huaj në Komunën e Mitrovicës së Veriut pas datës 15 mars 2026.