U mbajt sesion informues me përfaqësuesit e gjendjes civile të komunave për zbatimin e Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjete
Prishtinë
Agjencia e Regjistrimit Civil (ARC) e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) ka mbajtur sot një sesion informues me përfaqësuesit e gjendjes civile nga 38 komunat e Republikës së Kosovës, lidhur me rolin dhe përgjegjësitë e Zyrave të Gjendjes Civile gjatë periudhës informuese të zbatimit të Ligjit për Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjete.
Qëllimi i këtij takimi ishte informimi dhe koordinimi ndërinstitucional dhe diskutimi i çështjeve praktike në kuadër të kompetencave të Gjendjes Civile, që lidhen me procedurat për shtetasit e huaj dhe me zbatimin e dispozitave ligjore në praktikë.
Jeta Tela, Shefe e Kabinetit në MPB theksoi se: “Përputhja e kornizës ligjore dhe institucionale e Kosovës me standardet e BE-së, përfshirë Ligjin për të huajt dhe Ligjin për automjete, lidhet me përmbushjen e obligimeve nga Marrëveshja për Stabilizim dhe Asociim dhe proceset tjera integruese. Zbatimi i ligjeve në mënyrë transparente dhe pa diskriminim është thelbësor për përmbushjen e pritshmërive pas liberalizimit të vizave dhe për avancimin drejt anëtarësimit në BE”.
Gjatë takimit, u theksua edhe rëndësia e rolit që kanë zyrat e gjendjes civile në të gjitha komunat e Kosovës për zbatimin e drejtë të obligimeve që burojnë nga Ligji për të Huajt dhe Ligji për Automjete. Po ashtu, u përmend nevoja për bashkëpunim të vazhdueshëm me MPB-në dhe institucionet e tjera relevante, për shkëmbim të informatave dhe të gjeturave nga puna praktike në terren, me qëllim të koordinimit për të adresuar sfidat e mundshme.
Ky sesion informues dhe koordinues është pjesë e fushatës intensive që Ministria e Punëve të Brendshme është duke e zhvilluar, me qëllim të përfshirjes së të gjithë akterëve relevantë në këtë proces dhe sigurimit që informtat të arrijnë te qytetarët, të huajt dhe te vizitorët përmes formave të ndryshme të komunikimit.
Fushata informuese do të vazhdojë deri më 15 mars 2026, me synimin për të lehtësuar qasjen në informata dhe për të siguruar respektimin e legjislacionit tonë në fuqi.