INFORMACION PËR SHTETASIT E HUAJ QË HYJNË NË REPUBLIKËN E KOSOVËS
Prishtinë
Ky dokument udhëzues informon
shtetasit e huaj për detyrimet ligjore gjatë hyrjes, qëndrimit dhe punësimit në
Republikën e Kosovës.
Të dashur vizitorë, mirësevini në Republikën e Kosovës! Ju dëshirojmë qëndrim të këndshëm në vendin tonë. Jemi të obliguar të ju njoftojmë me të drejtat dhe obligimet për qytetarët e huaj e mysafirë në Republikën e Kosovës, për të bërë edhe qëndrimin tuaj në shtetin tonë më të lehtë e në përputhje me rregullat e ligjet e vendit tonë.
Ju lutem vini re që:
Me rastin e hyrjes në Republikën e Kosovës, i huaji duhet:
· të posedojë dokument të vlefshëm udhëtimi;
· të posedojë vizë ose leje qëndrimi, kur kërkohet;
· të respektojë qëllimin dhe afatin e qëndrimit;
· të lajmërojë adresën e qëndrimit në afat prej tri (3) ditësh nga dita e hyrjes, në kufi apo në stacionin më të afërt policor;
· të ketë mjete të mjaftueshme për jetesë;
· të respektojë ligjet e Republikës së Kosovës;
· të mos ketë ndalim të hyrjes dhe qëndrimit në Republikën e Kosovës;
· të mos përbëjë kërcënim për sigurinë shtetërore, rendin dhe shëndetin publik.
Me rast të qëndrimit afatshkurtër:
· I huaji mund të qëndrojë deri në nëntëdhjetë (90) ditë brenda periudhës kohore prej njëqind e tetëdhjetë (180) ditë pa vizë ose me vizë kur kjo kërkohet,
· Nuk i lejohet puna/punësimi gjatë kësaj periudhe pa leje pune;
· Çdo qëndrim mbi 90 ditë kërkon aplikim për lejeqëndrim.
Me rast të qëndrimit në Republikën e Kosovës për çështje punësimi:
· kërkohet leje qëndrimi e përkohshme për punë;
· kërkohet leje pune;
· Kërkohet licencim paraprak në rast të aplikimit për leje pune për profesionin që kërkon licencë;
· puna pa leje është e ndaluar.
Aplikimi për leje të punës bëhet pranë Agjencisë së Punësimit.
Qëndrimi për qëllime të tjera:
Për çështje studimi, ribashkimi familjar ose arsye tjera humanitare, kërkime shkencore dhe rrethana tjera të parapara me ligj, kërkohet:
· pajisja me lejeqëndrim të përkohshëm dhe
· plotësimi i kritereve tjera ligjore në varësi nga qëllimi i qëndrimit.
Aplikimi mund të bëhet në misione diplomatike/konsullore ose në DSHAM, në rastet kur i huaji ka hyrë në Republikën e Kosovës dhe nuk ka nevojë për vizë.
Pasoja në rast shkeljeje
Atëherë kur nuk veprohet në pajtim me përcaktimet ligjore që lidhen me hyrjen, lëvizjen, qëndrimin dhe punësimin e të huajve, autoritetet kompetente mund të marrin masat e përcaktuara me ligj, të cilat mund të përfshijnë por nuk kufizohen në:
· anulimin e lejeqëndrimit,
· shqiptimin e gjobës,
· urdhërimin e largimit dhe
· ndalimin e hyrjes në territorin e Republikës së Kosovës.
Për më shumë informacion, ju lutemi ti referoheni Ligjit Nr.04/L-219 për të Huajt, të publikuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.
Zbatimi i plotë fillon nga data 15 mars 2026. Çdo hyrje pas kësaj date që rezulton me mosparaqitje sipas rregullave të listuara brenda këtij udhëzuesi, do rezultojë me ndalim hyrje në Republikën e Kosovës.
Ju faleminderit për vëmendjen tuaj.
Ju dëshirojmë qëndrim të këndshëm në Republikën tonë!