Tryeza Vjetore e MPB-së: Theksohet rëndësia e transparencës dhe llogaridhënies
Prishtinë
Ministria e Punëve të Brendshme organizoi Tryezën Vjetore me temë “Progresi dhe sfidat në zbatimin e rekomandimeve të Avokatit të Popullit dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit”.
Takimi u hap nga Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Punëve të Brendshme, znj. Fahrije Tërnava–Sheremeti, e cila theksoi rëndësinë e organizimit të takimeve të tilla ndërmjet institucioneve të pavarura dhe institucioneve qeveritare, si momente reflektimi mbi progresin dhe sfidat në zbatimin e rekomandimeve të Avokatit të Popullit dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit. Ajo vuri në pah nevojën për gjetjen e modaliteteve adekuate për avancimin e bashkëpunimit, si dhe për rritjen e transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve shtetërore.
Në tryezë morën pjesë Auditorja e Përgjithshme e Zyrës Kombëtare të Auditimit, znj. Vlora Spanca, Zëvendës Avokatja e Avokatit të Popullit, znj. Majlinda Lulaj, Sekretarë të Përgjithshëm të ministrive, si dhe udhëheqës e zyrtarë relevantë të institucioneve shtetërore.
Diskutimet u zhvilluan me kontributin e të gjithë pjesëmarrësve dhe kishin për qëllim fuqizimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërinstitucional, rritjen e transparencës dhe llogaridhënies, si dhe përmirësimin e vazhdueshëm të proceseve institucionale, në përputhje me objektivat e Strategjisë për Reformën në Administratën Publike.