Procedurat e aplikimit për pasaportë biometrike

 

Procedurat për aplikim dhe tërheqje të pasaportës së Republikës së Kosovës

 

Procedura e pajisjes me pasaportë  të Republikës së Kosovës  sipas Udhëzimit Administrativ MPB  Nr. 01 / 2024

 

  • Procedura e aplikimit për pasaportë për aplikuesit nën moshën tetëmbëdhjetë (18) vjeçare:

 

Aplikuesi duhet të paraqitet personalisht në QPD ose në misionin diplomatik apo konsullor, i shoqëruar nga të dy (2) prindërit apo nga kujdestari dhe të paraqesë dokumentet si në vijim:

 

  • Letërnjoftimin me afat të vlefshmërisë për shikim, ose nëse nuk është i pajisur me letërnjoftim, të prezantojë ekstraktin origjinal nga RQGjC për shikim;
  • Pasaportën origjinale për shikim;

 

  • Kur aplikuesi nën moshën gjashtëmbëdhjetë (16) vjeçare aplikon për ndërrimin apo ripërtëritjen e të dhënave në pasaportë e ku të dhënat e dokumentacionit mbështetës dhe të dhënat në bazën e të dhënave për pasaporta/RQGjC nuk përputhen, atëherë duhet të prezantohen edhe këto dokumente:
  • Ekstrakti nga RQGjC;
  • Vërtetimi nga arkiva me sqarimin e detajuar për ndryshimin e të dhënave.

 

  • Në rast të humbjes së pasaportës, aplikuesi dorëzon raportin/vërtetimin policor origjinal apo kopjen e vërtetuar nga noteri ose gjykata. Në rast të vjedhjes së pasaportës kërkohet kopja e raportit policor. Nëse raporti/vërtetimi është në gjuhë të huaj, duhet të jetë i përkthyer në njërën nga gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës;

 

  • Përjashtimisht në rast se pasaporta është e humbur jashtë vendit dhe paraqitet kërkesa në misionin diplomatik apo konsullor, misioni diplomatik apo konsullor i drejton kërkesë ILECU-t për verifikim dhe për numër të rastit. Pas verifikimit dhe konfirmimit i lëshohet vërtetimi mbi paraqitjen e dokumentit të humbur, më pas ai vërtetim nga misioni diplomatik apo konsullor i dërgohet zyrtarisht QPD – së përkatëse;

 

  • Dëshminë për identitetin e prindërve duke prezantuar letërnjoftimin ose pasaportën origjinale për shikim, ku së paku njëri prind duhet të posedojë letërnjoftimin apo pasaportën e Republikës së Kosovës me afat të vlefshmërisë apo dëshminë e aplikimit të njërit prind për letërnjoftim. Në rast se prindi me shtetësi të Republikës së Kosovës, ka vdekur, atëherë kërkohet dëshmia e vdekjes dhe aplikuesi shoqërohet nga prindi tjetër;
  • Nëse mungon njëri prind, kërkohet autorizimi origjinal dhe i vulosur nga noteri apo nga gjykata, ose nga organi kompetent i shtetit të huaj, jo më i vjetër se një (1) vit nga data e lëshimit të tij. Kopja e vërtetuar nga noteri apo gjykata, nëse autorizimi është në gjuhë të huaj dhe i njëjti duhet të jetë i përkthyer në njërën nga gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës.

 

  • Në rastet kur aplikimi do të kryhet në QPD/mision diplomatik apo konsullor të Republikës e Kosovës, njëri prind mund ta jap autorizimin për aplikim për pasaportë për prindin tjetër edhe në mision diplomatik apo konsullor të Republikës së Kosovës, në prani zyrtarit përgjegjës të misionit diplomatik apo konsullor. Autorizimi nënshkruhet nga prindi dhe zyrtari përgjegjës i misionit diplomatik, konsullor dhe i njëjti i vulosur i dërgohet në formë elektronike QPD-së. Zyrtari përgjegjës i misionit diplomatik apo konsullor, autorizimit i bashkëngjit një kopje të dokumentit të identitetit të autorizuesit, pasaportë apo letërnjoftim të vlefshëm, në pajtim me formën e përcaktuar në shtojcën 2 të këtij Udhëzimi Administrativ;

 

  • Pavarësisht përcaktimeve të këtij neni, në rast se njëri prind është në gjendje të rëndë shëndetësore fizike apo mendore ose është i hospitalizuar, zyrtari merr në konsideratë këto rrethana, duke u bazuar në dëshmitë/raportin nga institucioni shëndetësor përkatës;

 

  • Nëse njëri prind ka vdekur, aplikuesi shoqërohet nga prindi tjetër. Vdekja dëshmohet me certifikatën e vdekjes;

 

  • Nëse fëmija për çfarëdo arsye është pa kujdesin e njërit prind, kërkohet pëlqimi në origjinal nga QPS;

 

  • Nëse prindërit e aplikuesit janë liruar nga shtetësia e Republikës së Kosovës, duhet të paraqesin origjinalin dhe të dorëzojnë kopje të dokumentit të shtetit të huaj që dëshmon identitetin e tyre;

 

  • Nëse aplikuesi ka shtetësinë e Kosovës, por prindërit kanë shtetësi të huaj, duhet të paraqesin origjinalin dhe të dorëzojnë kopje të dokumentit të shtetit të huaj që dëshmon identitetin e tyre;

 

  • Nëse aplikuesi përfaqësohet nga kujdestari, dorëzohet origjinali i vendimit të QPS-së për caktimin e kujdestarit ose kopja e vërtetuar nga noteri apo gjykata, si dhe dëshmia me afat të vlefshmërisë për identitetin e kujdestarit.

 

  • Në rastet kur bëhet aplikimi për pasaportë për fëmijë, në misionet diplomatike apo konsullore të Republikës së Kosovës, vendimet gjyqësore të gjykatave dhe vendimet administrative të organeve administrative të shtetit ku ndodhet përfaqësia diplomatike dhe konsullore, njihen si të tilla, por paraprakisht duhet të bëhet verifikimi i origjinalitetit të tyre tek gjykatat apo organet kompetente të shtetit të huaj ku ndodhet përfaqësia diplomatike apo konsullore. Vendimet e tilla përfshijnë edhe vendimet e huaja gjyqësore për adoptimin.

 

  • Dëshminë për pagesë  20 Euro  ( të cilën e merr  gjatë aplikimit  në sportel)

                          

Përjashtim nga kjo procedurë bëjnë personat nën moshën 18 të cilët kanë fituar zotësi të veprimit sipas vendimit të lëshuar nga organi kompetent.

 

Tërheqja e pasaportës për personat nën moshën 18 vjeçare:mund të bëhet nga njëri prind / kujdestar pa prezencën e fëmijës  duke dëshmuar dokumentet si në vijim:

  • Dokument identifikimi i prindit/ kujdestarit
  • Pasaportën paraprake të aplikuesit, nëse ka poseduar.

 

Tërheqja e pasaportës për personat nga mosha 16 vjeçare mund të bëhet personalisht nga aplikuesi duke prezantuar letërnjoftimin e vlefshëm.

 

  • Procedura e aplikimit për pajisje me pasaportë për aplikuesit nga mosha tetëmbëdhjetë (18) vjeçare:

 

Aplikuesi duhet të paraqitet personalisht në QPD ose në misionin diplomatik apo konsullor dhe të paraqesë dokumentet si në vijim:

  • Origjinalin e letërnjoftimit me afat të vlefshmërisë për shikim, ose formularin e aplikimit për letërnjoftim;
  • Pasaportën, në rast të ripërtëritjes apo ndërrimit të të dhënave;
  • Raportin/vërtetimin policor origjinal, apo kopjen e vërtetuar nga noteri ose gjykata në rast të humbjes. Për rastet e vjedhjes së pasaportës kërkohet kopja e raportit policor;
  • Nëse raporti/vërtetimi është në gjuhë të huaj, duhet të jetë i përkthyer në njërën nga gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës;
  • Përjashtimisht nëse pasaporta është e humbur jashtë vendit dhe paraqitet kërkesa në misionin diplomatik apo konsullor, misioni diplomatik apo konsullor i drejton kërkesë ILECU-t për verifikim dhe për numër të rastit. Pas verifikimit dhe konfirmimit i lëshohet vërtetimi mbi paraqitjen e dokumentit të humbur, më pas ai vërtetim nga misioni diplomatik apo konsullor i dërgohet zyrtarisht QPD – së përkatëse.
  • Pavarësisht përcaktimeve nga paragrafi 1. i këtij neni, aplikuesi nga mosha tetëmbëdhjetë (18) vjeçare që i është zgjatur kujdesi prindëror ose i është hequr zotësia e veprimit, duhet të jetë i shoqëruar nga të dy (2) prindërit, vetëm nga njëri prind në rastet e përcaktuara në nenin 5 të këtij Udhëzimi Administrativ ose nga kujdestari. Në rast se shoqërohet nga kujdestari, ky i fundit duhet të prezantojë origjinalin e vendimit të QPS-së për caktimin e kujdestarisë apo kopjen e vërtetuar nga noteri ose gjykata, si dhe dëshmia për identitetin e kujdestarit me afat të vlefshmërisë.
  • Në rastet kur aplikimi për pasaportë bëhet në misionet diplomatike apo konsullore të Republikës së Kosovës, vendimet e organeve kompetente lidhur me zgjatjen e kujdesit prindëror apo për heqjen e zotësisë së veprimit të shtetit ku ndodhet përfaqësia diplomatike apo konsullore njihen si të tilla, por paraprakisht duhet të bëhet verifikimi i origjinalitetit të tyre tek organet kompetente të shtetit të huaj ku ndodhet përfaqësia diplomatike apo konsullore.
  • Dëshminë për pagesë  30 Euro  ( të cilën e merr  gjatë aplikimit në sportel).

 

  • Për pensionistë  është 15 Euro

 

Tërheqja e pasaportës për personat nga mosha 18 vjeçare: bëhet personalisht nga aplikuesi ose me autorizim origjinal të vërtetuar nga noteri apo gjykata.

 

Me rastin e tërheqjes së pasaportës aplikuesi / i autorizuari duhet të paraqes:

 

-          Letërnjoftimin e vlefshëm të aplikuesit

-          Pasaportën paraprake të aplikuesit, nëse ka poseduar.

-          Dokument identifikimi të të autorizuarit ( letërnjoftim, pasaportë apo dokument tjetër i vlefshëm me fotografi.

 

Shënim: Aplikimi mund te behët në të njëjtën kohë për letërnjoftim dhe pasaportë në çdo Qendër për Pajisje me Dokumente 

 

Shënim: Sipas UA  MPB Nr. 07/2017 , pasaporta mund të merret me procedurë të përshpejtuar në afati kohor brenda  72 orë ( llogariten vetëm  ditët e punës) , tarifa shtesë është 50 Euro.