Procedura e pajisjes me pasaportë të Republikës së Kosovës sipas Udhëzimit Administrativ MPB Nr. 06 / 2018
Procedura e aplikimi për pajisje me pasaportë për personat nën moshën 18 vjeçare:
Aplikuesi duhet të jetë prezent personalisht në Qendrën për Pajisje me Dokumente i shoqëruar nga përfaqësuesi ligjor ( dy prindërit / kujdestari) dhe duhet të paraqesë dokumentet si në vijim:
- Ekstraktin origjinal apo kopje të tij për shikim për aplikuesin nën moshën 16 vjeçare;
- Letërnjoftimin e vlefshëm të Republikës së Kosovës për aplikuesit nga mosha 16 vjeçare;
- Pasaportën origjinale për shikim, në rast të ripërtëritjes. Në rast të ndërrimit te të dhënave në pasaportë, kërkohet edhe ekstrakti;
- Raportin/vërtetimin policor origjinal apo kopjen e noterizuar nga origjinali, në rast të humbjes/vjedhjes. Nëse raporti është ne gjuhë te huaj, duhet te jetë i përkthyer në ndonjërën prej gjuhëve zyrtare;
- Raportin mbi konfiskimin nëse pasaporta është e konfiskuar jashtë vendit. Nëse raporti është në gjuhë të huaj, duhet të jetë i përkthyer në njërën nga gjuhët zyrtare. Nëse nuk e posedon raportin, aplikuesit/prindërit/kujdestarit i merret
deklarata plotësuese/sqaruese;
- Dëshminë për identitetin e prindërve (letërnjoftim ose pasaportë) së paku njëri prind duhet të posedojë letërnjoftimin/pasaportën te vlefshme të Republikës së Kosovës;
- Nëse mungon njëri prind kërkohet autorizimi origjinal dhe i vulosur nga noteri, apo nga gjykata, ose kopja e noterizuar nga origjinali. Nëse autorizimi është në gjuhe të huaj, duhet të jetë i përkthyer në njërën nga gjuhët zyrtare.
- Përjashtimisht nga nën-nen paragrafi 1.1.7 i këtij neni, në rast kur njëri prind nuk ka mundësi të autorizojë prindin tjetër për arsye shëndetësore e që dëshmohet me dokumentacion nga institucioni përkatës, aplikuesin mund ta shoqërojë vetëm njeri prind;
- Nëse njëri prind ka vdekur, aplikuesi shoqërohet nga prindi tjetër. Vdekja
dëshmohet me certifikatën e vdekjes;
- Nëse prindërit nuk jetojnë bashkë, kërkohet vendimi për kujdestarinë nga gjykata
ose pëlqimi nga Qendra për Punë Sociale;
- Nëse prindërit e aplikuesit janë liruar nga shtetësia e Kosovës duhet të ofrojnë
dokumente për identitetin e tyre;
- Nëse aplikuesi është i lindur në Republikën e Kosovës nga prindërit me shtetësi
të huaj, ndërsa aplikuesi ka fituar shtetësinë e Republikës së Kosovës, prindërit
duhet të paraqesin dëshmi të identitetit të tyre si dhe vendimin e shtetësisë për
aplikuesin
- Dëshminë për pagesë 20 Euro ( të cilën e merr gjatë aplikimit në sportel)
Përjashtim nga kjo procedurë bëjnë personat nën moshën 18 të cilët kanë fituar
zotësi të veprimit sipas vendimit të lëshuar nga organi kompetent.
Tërheqja e pasaportës për personat nën moshën 18 vjeçare mund të bëhet nga njëri
prind / kujdestar pa prezencën e fëmijës duke dëshmuar dokumentet si në vijim:
- Dokument identifikimi i prindit/ kujdestarit
- Ekstraktin nga RQGJC i aplikuesit;
- Pasaportën paraprake te aplikuesit;
Tërheqja e pasaportës për personat nga mosha 16 vjeçare mund të bëhet personalisht nga
aplikuesi duke prezantuar letërnjoftimin e vlefshëm.
Procedura e aplikimit për pajisje me pasaportë për personat nga mosha 18
vjeçare:
Aplikuesi duhet te jetë prezent personalisht në Qendrën për Pajisje me Dokumente dhe
duhet të paraqesë dokumentet si në vijim:
- Letërnjoftimin e vlefshëm të Republikës së Kosovës në shikim;
- Pasaportën origjinale për shikim për aplikim, ne rast te ripërtëritjes apo ndërrimit
të të dhënave në pasaportë;
- Raportin/vërtetimin policor origjinal apo kopjen e notërizuar nga origjinali, në
rast të humbjes/vjedhjes të pasaportës. Nëse raporti/vërtetimi është në gjuhë të
huaj, duhet të jetë i përkthyer në njërën nga gjuhët zyrtare;
- Raportin mbi konfiskimin nëse pasaporta është e konfiskuar jashtë vendit. Nëse
raporti është në gjuhë të huaj, duhet të jetë i përkthyer në njërën nga gjuhët zyrtare.
Nëse nuk e posedon raportin, aplikusit i merret deklarata plotësuese / sqaruese.
- Dëshminë për pagesë 30 Euro ( të cilën e merr gjatë aplikimit në sportel).
- Për pensionistë është 15 Euro
Tërheqja e pasaportës për personat nga mosha 18 vjeçare bëhet personalisht nga aplikuesi ose me autorizim origjinal të vërtetuar nga noteri apo
gjykata.
Me rastin e tërheqjes së pasaportës aplikuesi / i autorizuari duhet të paraqesë:
- Letërnjoftimin e vlefshëm të aplikuesit
- Pasaportën paraprake të aplikuesit
- Dokument identiteti të të autorizuarit (letërnjoftim, pasaportë apo dokument tjetër
me fotografi, i vlefshëm i lëshuar nga Republika e Kosovës);
Shënim: Aplikimi mund të behët në të njëjtën kohë për letërnjoftim dhe pasaportë në çdo
Qendër për Pajisje me Dokumente.
Shënim: Sipas UA MPB Nr. 07/2017, pasaporta mund të merret me procedurë të
përshpejtuar në afati kohor brenda 72 orë (llogariten vetëm ditët e punës), tarifa shtesë
është 50 Euro.