Reagim ndaj informatave të pasakta mediatike

Prishtinë

Autoriteti Kontraktues - Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Kosovës ka ndjekur me shqetësim të madh dhe vëmendje të veçantë lajmin e dhënë me datën 24 dhe 26 tetor 2020, në lidhje me aktivitetin e prokurimit, “Furnizim emergjent për targa të automjeteve”.

Duke shpresuar në mirëkuptim tuaj, ju bëjmë me dije se e vërteta e këtyre “Tenderëve” qëndron krejt ndryshe nga ajo që është raportuar, keqkuptuar apo edhe keqinterpretuar nga mediumi “Koha”.

Pa dashur të lëshohemi shumë në situata të tilla konspirative në lidhje me dezinformohet dhe keqinterpretimet e fakteve, ju informojmë se lajmi i dhënë “Mbi tenderin emergjent të targave”, është komplet i pabazë, i pakontrolluar dhe i pa konstatuar mirë nga gazetari, i cili duket se qëllimin kryesor e ka klikimin, etiketimin dhe jo-konfirmimin e saktë të lajmit. Për informimin e opinionit publik, ju njoftojmë se procedurat e prokurimit për “Furnizim emergjent me targa të automjeteve” nuk bëhet në baza mujore, por çmimi i tyre caktohet në bazë të targave për njësi.

Sidoqoftë, në rastin konkret, tenderët për furnizimet emergjente me targa janë në çmime më të lira në krahasim me Kontratën e rregullt të vitit 2016, dhe nuk qëndron pretendimi se procedurat tjera kanë çmimin tri herë më të shtrenjtë.

Të dhënat në vijim e provojnë saktësinë e informatave të mësipërme:

1. Kontrata e vitit 2016, me nr. të Prokurimit 214 /16/ 025/ 111, të nënshkruar me datën 17.10.2016, çmimi për njësi (palë të targave) ka qenë 6.84;

2. Furnizimi emergjent me targa të automjeteve, kontrata me nr. 214/19/5566/115 dhe me numrin të brendshëm 214/19/013/115. Çmimi për njësi (palë të targave) ka qenë 6.50. Vlera e kontratës 137,545.58 euro;

3. Furnizim emergjent me targa të automjeteve, kontrata me nr. 214/ 19/8348/115 dhe me numër të brendshëm 214/19/022/115. Çmimi për njësi (pale të targave) ka qenë 6.49 euro. Vlera e kontratës 246,620.00 euro;

4. Furnizim emergjent me targa të automjeteve, kontrata me nr.214/20/746/115 dhe numër të brendshëm 214/20/004/115. Çmimi për njësi 6.48 euro. Vlera e kontratës 338,172.48 euro.

Pra, nga të dhënat e mësipërme rrjedh se në të tri rastet e lartshënuara (2,3 dhe 4), çmimi për njësi është më i ulët se sa ai i kontratës se rregullt (1). Gjithashtu ju sqarojmë së Autoriteti Kontraktues - Ministria e Punëve të Brendshme, përmes Procedurës së hapur (publike) ka iniciuar aktivitetin e prokurimit, “Furnizimi me targa të automjeteve”, në vitin 2018.

I njëjti aktivitet është në procedurë ankimore, dhe në bazë të Ligjit për Prokurimin Publik dhe akteve tjera nënligjore, të zbatueshme në Republikën e Kosovës, Autoriteti Kontraktues nuk mund të iniciojë dy aktivitete të prokurimit për të njëjtën çështje në të njëjtën kohë.