Udhëzues është përgatitur me mbështetjen e projektit "Mbështetje për Procesin e Reformës së Administratës Publike" për lehtësimin e zbatimit të Ligji për Procedurën e Përgjithshme Administrative, i financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.
Ky udhëzues ka për qëllim qartësimin dhe lehtësimin e zbatimit të dispozitave të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative (LPPA-së) nga nëpunësit e institucioneve të administratës publike përkatësisht zyrtarët e autorizuar të organeve publike për zhvillimin e procedurave administrative dhe marrjen e vendimeve. Udhëzuesi mund të jetë i dobishëm për të kuptuar më mirë institutet themelore të LPPA-së, procesin e menaxhimit të procedurave administrative si dhe risit të cilat për herë të parë përcaktohen me këtë ligji. Gjithashtu, udhëzuesi mund të përdoret edhe nga të gjithë personat tjerë të interesuar, organet dhe organizatat tjera, për të njohur më mirë ligjin e ri për procedurën e përgjithshme administrative i cili është miratuar nga Kuvendi i Kosovës me 25 maj 2016 dhe ka filluar të zbatohet nga 25 maj 2017.
Procedurat administrative kanë rëndësi parësore në sigurimin e ushtrimit në mënyrë efektive të autoritetit publik, në ofrimin e shërbimeve për qytetarët dhe komunitetin e biznesit si dhe përmbushjen e të drejtave dhe interesave të tyre të ligjshëm. Një procedurë formale administrative garanton për individët transparencë të një procesi administrativ dhe vendimmarrje. Procedura ka rëndësi parësore në mbrojtje të të drejtave, drejtësisë dhe barazisë së individëve dhe respektimi i saj shërben pa dyshim si një mbrojtje ligjore.
Për dallim nga ligji i vjetër, ligji i ri për procedurën e përgjithshme administrative rregullon tërë veprimtarinë e administratës publike, procesin e përgatitjes, marrjes dhe zbatimin e vendimeve administrative dhe ofron një varg rregullash se si duhet të komunikojnë organi publik dhe qytetarët gjatë këtij procesi. Sipas këtij ligji organet publike e ushtrojnë autoritetin dhe përgjegjësitë në pajtim me ligjet, zbatojnë rregullat e përgjithshme dhe parimet me paanshmëri ndaj kujtdo që i përmbush kushtet e duhura. Gjatë ushtrimit të diskrecionit të tyre, ato mbesin brenda kufijve të përcaktuar me ligj, në mirëbesim dhe mënyrë të arsyeshme dhe proporcionale, duke respektuar detyrimin e trajtimit të barabartë.