Qeverisja elektronike përfaqëson sistemet e Teknologjisë së Informacionit, përmes së cilës krijohen mundësi për të ofruar shërbime publike më të mira, më të shpejta dhe të disponueshme në kohë. Gjithashtu, përmirëson shërbimet, forcon llogaridhënien, rrit transparencën dhe përmirëson efikasitetin qeverisës.
Qeverisjes elektronike sjell përfitime të mëdha për shoqërinë. Përfitimet mund të jenë ekonomike dhe sociale, duke përfshirë modernizimin e administratës, arsimit, shëndetësisë, drejtësisë, sigurisë, zhvillimin e biznesit, zhvillimin e tregtisë, zhvillimin e bujqësisë, rritjen e buxhetit, rritjen e demokracisë, zhvillimin e kulturës, hulumtime shkencore, statistika të ndryshme, etj..
Sistemi telekomunikues i teknologjisë informative është i shtrirë në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës dhe ndërlidhë të gjitha institucionet qendrore dhe lokale. Në këtë rrjet janë të kyçura më shumë se 500 ndërtesa të ndryshme institucionale. Përmes tij mundësohet ofrimi i shërbimeve elektronike për qytetarët, bizneset dhe vetë administratën. Infrastruktura e rrjetit shtetëror përbehet nga rrjeti mikrovalor, optik, wifi dhe VPN. Gjithashtu, përmes këtij rrjeti mundësohet funksionimi i sistemit të telefonisë VoIP.

Agjencia e Shoqërisë së Informacionit ka ndërtuar Qendrën e të Dhënave Shtetërore (QDHSH). QDHSH përdoret si “depo elektronike” shtetërore, për akumulimin, administrimin, përhapjen dhe ruajtjen e të dhënave elektronike. QDHSH, përveç hapësirës fizike që posedon për vendosjen e resurseve harduerike, gjithashtu mundëson që përmes shërbimeve “Cloud” të zvogëlojë shpenzimet në blerjen e resurseve harduerike, të lehtësojë interoperabilitetin (ndërveprimin) e sistemeve të ndryshme, të rrisë efikasitetin e ofrimit të shërbimeve elektronike dhe të ofrojë siguri më të lartë të të dhënave elektronike.