Open Data - Hapja e të dhënave

 

“Hapja e të Dhënave është në përputhje me vizionin tonë dhe obligimin kushtetues që kemi për qeverisje të mirë, transparente dhe llogaridhënëse. Hapja e të dhënave ka përfitime të shumta si për proceset demokratike, por po ashtu edhe për zhvillimin ekonomik dhe inovacionin”.

  Mahir Yağcılar

 

Iniciativa për Hapjen e të Dhënave të Qeverisë së Kosovës

Qeveria e Republikës së Kosovës me qellim të ngritjes së transparencës dhe llogaridhënies të administratës shtetërore është duke zbatuar Iniciativën për Hapjen e të Dhënave (Open Data), iniciativë kjo që udhëhiqet nga Ministria e Administratës Publike, filloi së zbatuari në Maj të vitit 2016, kur Qeveria e Republikës së Kosovës miratoi Kartën Ndërkombëtare për Hapjen e të Dhënave me vendimin nr. 07/87.

Bazuar në këtë vendim, Ministria e Administratës Publike është mandatuar të koordinoj zhvillimet dhe punët, dhe të promovoj hapjen e të dhënave në Kosovë. Në këtë kuadër, u krijua Portali Kombëtar për të Dhëna të Hapura ku parashihet publikimi i të dhënave që prodhohen nga Qeveria e Kosovës.

Përmirësimi i shërbimeve publike, ngritja e transparencës, llogaridhënies dhe efikasitetit të administratës publike, si dhe krijimi i shërbimit civil më profesional janë ndër prioriteteve më të rëndësishme që Ministria e Administratës Publike është duke ndërmarr.

Në kontekstin e promovimit të një qeverie të hapur, MAP në shtator të vitit 2018, ka lansuar raportin e ODRA- Vlerësimin e Gatishmërisë për Hapjen e të Dhënave, bazuar në metodologjinë e Bankës Botërore i cili është përgatitur nga ekspertët vendor dhe ndërkombëtar, që ofron një pasqyre gjithëpërfshirëse sa i përket situatës në Kosovë në fushën e hapjes së të dhënave.

Gjithashtu, MAP ka filluar një proces të inventarizimit të të dhënave në të gjitha ministritë e qeverisë, ri-dizajnimin e portalit kombëtar dhe rritjen e numrit të data- seteve në portal në formate që janë të lexueshme nga makinat.

Hapja e të dhënave të qeverisë, parasheh ndryshime pozitive në mënyrën se si qeveria bashkëvepron me qytetarët. Ky proces u mundëson qytetarëve dhe bizneseve të marrin në mënyrë aktive në vendime të informuara në fusha të ndryshme të veprimit.

Rrjedhimisht, bërja e të dhënave të përdorshme është një element kryesor i nismës së Dhënave të Hapura.

 

Portali Kombëtar për Hapjen e të Dhënave

Portali kombëtar për të dhëna të hapura, opendata.rks-gov.net eshtë katalogu zyrtar i të dhënave dhe ‘metadata'-ve të të dhënave të publikuara në një format të hapur nga institucionet e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Këtu gjendet një numër i data-seteve me të dhëna që prodhohen nga ministritë e linjës dhe agjencitë shtetërore. Të gjitha institucionet obligohen të hapin, njëherit, publikojnë të dhënat e tyre në këtë platformë.

Portali promovohet nga Qeveria e Kosovës, njëherit menaxhohet nga Agjencia e Shoqërisë së Informacionit (ASHI) - Ministria e Administratës Publike. Ndër tjerash, ASHI angazhohet rreth implementimit të funksioneve të reja dhe përmirësimeve eventuale që përmirësojnë përvojën digjitale të përdoruesve.

 

Raporti i Vlerësimit të Gatishmërisë për Hapjen e të Dhënave – ODRA

Raporti ODRA paraqet një dokument të rëndësishëm në procesin e hapjes së të dhënave. Ky raport prezanton një vlerësim dhe studim të hollësishëm të kapaciteteve, mundësive dhe të sfidave në fushën e hapjes së të dhënave duke u bazuar në metodologji të Bankës Botërore. Vlerësimi u kërkua dhe iniciua nga vetë Ministria e Administratës Publike si pjesë e përpjekjeve për të avancuar procesin e hapjes së të dhënave, duke synuar përgatiten e intervenime efektive prej anës së qeverisë. Njëherit, ODRA shërben si udhërrëfyes në përpilimin e planit të veprimit rreth iniciativës për hapjen e të dhënave.

Raporti bazohet në seri intervistash me palët e interesuara, përfshirë këtu zyrtarë qeveritarë dhe përfaqësues nga Shoqëria Civile dhe fusha e teknologjisë, si dhe në rishikimin e dokumenteve strategjike dhe raporteve relevante, kornizës ligjore ekzistuese etj.

Raporti është shumë relevant për përparimin e iniciativës në atë se ofron plan konkret të veprimit dhe rekomandime. MAP do të punojë me vendosmëri për të siguruar zbatimin e rekomandimeve, në realizimin e ndryshimeve të domosdoshme institucionale për të mënjanuar çfarëdo pengesa për zbatimin efektiv të hapjes së të dhënave.



Çka janë të dhënat e hapura?

Të dhënat të hapura janë dispozicion në formë digjitale, në një format që mundëson përpunimin e tyre kompjuterik (‘machine - readable'), dhe që mund të përdoren, ripërdoren, shpërndahen, kudo dhe për çfarëdo qëllimi si dhe nga çdo kush pa kufizime që rrjedhin nga të drejtat e autorit, patentat apo mekanizma të tjerë të kontrollit

 

Vizito portalin dhe gjej të dhënat e hapura nga Qeveria e Kosovës

Portali Kombëtar për të
Dhënat e Hapura

 


Përfitimet e qytetarit/ës Kosovar nga Hapja e të Dhënave?

Kosova rangohet në mesin e 50 vendeve me normën më të lartë të depërtimit të internetit dhe aftësive digjitale, si dhe me shkallë ë lartë të posedimit të telefonave të mençur. Këto shifra bëjnë që hapja e kanaleve të reja të komunikimit, transparencës, llogaridhënies, dhe ofrimit të shërbimeve publike për qytetarët, përmes infrastrukturës së teknologjisë informative, të jetë e një rëndësie jetike. Në këtë kontekst hapja e të dhënave qeveritare për publikun është një prej sipërmarrjeve thelbësore.


 

Shkarko këtu raportin ODRA

 

Karta për Hapjen e të Dhënave në Republikën e Kosovës

  Vendimet për të dhënat e hapura
   

 

Copyright © 2023.