Funksionet e Agjencisë
Agjencia ushtron detyrat dhe përgjegjësitë si vijon:
1. Propozon dhe koordinon të gjitha politikat që ndërlidhen me teknologjinë e informacionit dhe të komunikimit në institucionet e Republikës së Kosovës;
2. Harton dhe siguron zbatimin e strategjisë së qeverisjes elektronike dhe të planit të veprimit përkatës, për aprovim në Qeveri;
3. Udhëheq dhe mbikëqyr zbatimin e projekteve që ndërlidhen me teknologjinë e informacionit në institucionet e Republikës së Kosovës.
4. Agjencia përkrah zhvillimin e teknologjisë së informacionit, nxit investimet në fushën e shoqërisë së informacionit, zhvillimin e sistemeve të aftësimit në teknologjinë e informacionit dhe bën koordinimin, udhëheqjen dhe mbikëqyrjen e proceseve dhe të mekanizmave të qeverisjes elektronike në fushat e mëposhtme:
5. Infrastrukturën e TIK-ut për institucionet e Republikës së Kosovës dhe rritjen e shkallës së përdorimit të TI-së;
6. Zgjerimin e shërbimeve të internetit dhe të përmbajtjeve të internetit në institucionet e Republikës së Kosovës;
7. Akumulimin, administrimin, përhapjen dhe ruajtjen e të dhënave, duke krijuar Qendrën shtetërore të të dhënave elektronike;
8. Sigurinë dhe mbrojtjen e infrastrukturës komunikuese elektronike dhe të të dhënave;
9. Sipas nevojës, ndihmon institucionet relevante në luftimin e krimit elektronik (cyber crime);
10. Përkujdeset për menaxhimin dhe ruajtjen e pronës intelektuale dhe të drejtat në lidhje me bazat e të dhënave dhe softuerët, që janë pronë e shtetit;
11. Siguron mbrojtjen e të dhënave personale në formë elektronike, në pajtim me legjislacionin në fuqi;
12. Ndihmon qasjen në informata publike në formë elektronike;
13. Në bashkëpunim me IKAP-in bën identifikimin e nevojave për aftësimin elektronik të Shoqërisë së Informacionit për punonjësit e institucioneve të Republikës së Kosovës.