Zëvendësministrat


Blerim Gashani

Blerim Gashani u lind më 25 dhjetor 1974 në fshatin Tërstenik, komuna e Drenasit. Shkollimin fillor e kreu në fshatin e tij, ndërsa atë të mesëm në Drenas. Fillimisht, ka studiuar për Gjuhë dhe Letërsi Angleze në Universitetin e Prishtinës, pastaj studimet themelore për Komunikim Masiv dhe Gazetari i kreu në Universitetin AAB, ku është duke përfunduar studimet Master.

Midis datës 9 dhjetor 1994 dhe 27 shkurt 2000, ka punuar si mësimdhënës në shkollën fillore “Zenel Hajdini”, Tërstenik. Nga 28.02.2000 deri më 16.12.2008, ka punuar në Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) dhe pastaj, ndërmjet 23 dhjetorit 2008 dhe 31 korrikut 2014, ka punuar për Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX).

Nga data 1 gusht 2014 e deri më 15 prill 2021, ka punuar për NI-CO, një organizatë e Mbretërisë së Bashkuar, që ka implementuar shumë projekte në Republikën e Kosovës, sidomos të lidhura me siguri dhe drejtësi. Më 16 prill 2021 është emëruar Zëvendësministër i Ministrisë së Punëve të Brendshme, aty ku, përveç detyrave tjera, është edhe Koordinator Kombëtar për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, Koordinator Kombëtar për Anti-Trafikim dhe Koordinator Kombëtar për Migrim.  

Gashani ka botuar recensione dhe ka përvojë të mirë si redaktor, korrektor dhe lektor i gjuhës standarde shqipe në botime të ndryshme akademike e publicistike.   Deri më tani, përveç qindra artikujve gazetareskë të botuar në median e shkruar dhe elektronike të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, ai ka botuar edhe dy libra: “Vjeshtë e ngrime” – në bashkautorësi, më 2017, dhe “Kronikë e rrënimit të Kosovës”, më 2020.  

Është i martuar dhe ka dy fëmijë.    


Bardhyl Dobra

Bardhyl Dobra lindi me 17 shkurt 1986 në Drenas. Ai është në përfundim të doktoratës pranë Ghent University në Belgjikë, ku është duke punuar në temën e doktoratës “Administrata publike në shtete post-konflikt: rasti i Kosovës”. Ai ka publikuar disa artikuj dhe kapituj që ndërlidhen me fushën e administratës dhe politikave publike në shtetet post-konflikt.

Nga 2013 deri në 2020, Bardhyli ka qenë Sekretar i Përgjithshëm i rrjetit më të madh në botë të shkollave dhe instituteve të administratës, International Association of Schools and Institutes of Administration (IASIA) me seli në Bruksel, kurse gjatë periudhës 2019-2020 ka shërbyer edhe si zyrtar përgjegjës për akreditime pranë The International Commission on Accreditation of Public Administration Education and Training Programs (ICAPA).

Bardhyl Dobra është zhvendosur në Francë në maj të vitit 1999, sikurse mijëra shqiptarë të Kosovës. Ai atje ka përfunduar një pjesë të shkollës fillore, shkollën e mesme si dhe studimet bachelor dhe master në ekonomi aplikative pranë Université de Reims Champagne-Ardenne në Francë. Gjatë kësaj periudhe, Bardhyli ka qenë pjesë e programeve të shkëmbimit përmes së cilave ka studiuar një semestër në University of the West of Scotland në Mbretërinë e Bashkuar, dhe një vit në Pittsburg State University në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pas kthimit në Francë, Bardhyli ka diplomuar poashtu në studimet postdiplomike në shkenca politike dhe si rrjedhojë ka kryer përvojën profesionale në kuadër të masterit pranë Ambasadës së Francës në Kosovë. Bardhyli, më pas ka vazhduar përvojën profesionale në International Institute of Administrative Sciences në Bruksel. 

Bardhyli ka qenë themelues dhe bashkëpunëtor i disa organizatave studentore në Francë, Erasmus Student Network Reims (ESN Reims), Promo 3E, Association des Etudiants Spécialistes de l'Europe Centrale et Orientale (AESECO), dhe deri në prill 2021 ka qenë nënkryetar i Qendrës Kulturore të Kosovës në Paris (QKKP), si dhe anëtar i bordit të Global Albanian Foundation (GAF). Bardhyli flet gjuhën frenge dhe atë angleze, si dhe ka nivel bazik të gjuhës italiane.