Ministria e Punëve të Brendshme shënoi Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve me aktivitete të ndryshme kushtuar fëmijëve

Prishtinë

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, 1 Qershorit, ministri i Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla i shoqëruar nga pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe drejtori i ShSKUK-së, z. Valbon Krasniqi kanë vizituar Klinikën e Pediatrisë në QKUK.

Me këtë rast, në një kombinim të disa njësive të Policisë së Kosovës, ministri Sveçla ka shpërndarë dhurata për fëmijët e shtrirë në Klinikën e Pediatrisë me rastin e 1 Qershorit, ditës së fëmijëve.

Ministri Sveçla me këtë rast u ka uruar të gjithë fëmijëve shërim të shpejt dhe kthim sa më të shpejtë në shtëpitë e tyre, duke i siguruar që Policia është në shërbim të tyre. 

“Sot është dita e fëmijëve dhe me këtë rast ne deshëm që të mbështesim familjarët që janë me fëmijë të sëmurë dhe tu urojmë atyre shërim sa më të shpejtë dhe t’i sigurojmë që Policia është për tu shërbyer. Falënderojmë ekipin e mjekëve të gjithë për kujdesin ndaj fëmijëve”, theksoi Ministri Sveçla

Drejtori i ShSKUK-së, Valbon Krasniqi, tha se po bëjnë përpjekje maksimale që fëmijëve tu ofrohen shërbime sa më cilësore mjekësore. Ai tha se ajo çka kanë nevojë sot është shëndeti dhe siguria.

Ndërsa, drejtoresha e Pediatrisë, Drita Telaku-Qosaj, tha se vizita e ministrit dhe zyrtarëve policor është kënaqësi e posaçme për ta dhe fëmijët që po trajtohen aty.

Pas QKUK, ministri Sveçla ka vizituar edhe Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, në një aktivitet që është organizuar më rastin e 1 Qershorit, ku AKSP-në e vizituan  nxënës të shkollave fillore të Vushtrrisë, të cilët u njoftuan më për së afërmi me ambientet e Akademisë dhe punët e përditshme të Policisë së Kosovës.

Me këtë rast pjesëtarët e Policisë së Kosovës demonstruan disa prej shkathtësive të tyre para të pranishmeve, me qëllim të familjarizimit me punën që në vijimësi kryen Policia e Kosovës.