Fjalimi i ministrit Xhelal Sveçla gjatë vizitës në Policinë e Kosovës

Prishtinë

Ministri i Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla së bashku me një pjesë të kabinetit të tij ka vizituar Policinë e Kosovës, ku është pritur nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, z, Samedin Mehmeti me bashkëpunëtor.

 

Për më shumë keni të plotë adresimin e ministrit Xhelal Sveçla:

I nderuari Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Z. Mehmeti,

Të nderuar drejtorë të Departamenteve,

Të nderuar policë dhe police,

Zonja dhe Zotërinj.

Më lejoni që të ju drejtohem me këtë fjalë rasti, për të theksuar rëndësinë që Policia e Kosovës ka, në ofrimin e sigurisë dhe  zbatimin e  ligjit në Kosovë, në mënyrë profesionale, efektive dhe efikase si dhe për të kërkuar angazhimin e gjithsecilit në arritjen e këtyre qëllimeve. 

Për mё shumё se 20 vite qё prej themelimit tё Policisë sё Kosovës,  ky institucion ka bërë shumë në ofrimin e sigurisë pёr tё gjithё qytetarёt e vendit. Gra e burra për shumë vite, kanë bërë sakrifica të mëdha, për shërbim sa më të mirë ndaj qytetarit si dhe për mbrojtjen e rendit dhe sigurisë publike. Por kjo nuk mjafton. Unë jam i përkushtuar që të punojmë shumë në arritjen e vizionit të përbashkët , të ofrimit të  një shërbimi policor kompetent e profesional.

Vendi ynëballafaqohet me një numër të madh sfidash për të cilat duhet angazhim konkret, me qëllim që të garantohet sundimi i ligjit dhe ofrimi i sigurisë publike në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Jemi të përkushtuar në reformimin e Policisë së Kosovës, me qëllim të ngritjes së profesionalizmit, pavarësisë dhe llogaridhënies , forcimit të integritetit institucional, transparencës dhe rikthimit të kredibilitetit e besimit të qytetarëve ndaj institucioneve të sigurisë në vend.

Puna e Policisë është e një rëndësie të veçantë . Shumë policë, vënë jetën e tyre në rrezik çdo ditë, për të mbrojtur  jetën dhe pronën publike dhe private, të parandalojnë, zbulojnë e luftojnë krimin. Shumë zyrtarë policorë janë në kryerje të detyrës me integritet dhe e bëjnë punën e tyre shkëlqyeshëm, por jemi dëshmitarë se kjo punë shpeshherë dëmtohet nga një pakicë e atyre që sillen në mënyrë jo të duhur dhe në kundërshtim me detyrat dhe përgjegjësitë që ju takojnë. Këtë duhet ta luftojmë bashkërisht!

Prej themelimit tё PK-sё, kemi 21 zyrtarë policor qё kanё rёnё nё krye tё detyrës, nga këta, më duhet ta veçoj Enver Zymberin qё ёshtё njё dёshmi qё zyrtarët policorë të Kosovës nuk kanë kursyer as jetёn pёr tё ofruar shtrirje të sovranitetit dhe siguri pёr qytetarët e Kosovës. Sot, Policia e Kosovёs është një ndër institucionet më me rëndësi në përpjekjet e përbashkëta për luftimin me pandeminё. Ne u jemi mirënjohës zyrtarёve tё PK-sё, qё pa pushim, dhe me orar tё zgjatur tё punёve, janё duke ndihmuar qytetarët pёr tё parandaluar përhapjen e virusit Covid-19. Deri mё tani 17 zyrtarë policor kanё humbur jetёn nga virusi korona dhe mbi 800 kanё qenё tё infektuar nga  ky virus. 

Janë bërë shumë punë të mira në Policinë e Kosovës dhe shpeshherë falë punës suaj Kosova është shembull dhe prijëse e praktikave të mira policore.

Megjithatë, përkundër arritjeve, para nesh kemi shumë sfida.  Sot vendi po përballet me sfida tё shumta tё sundimit tё ligjit dhe sigurisё siç janë: lufta ndaj krimit tё organizuar e korrupsionit, trafikimit me qenie njerëzore dhe trafikimit të paligjshëm të armëve,  krimeve ekonomike, sulmet kibernetike, dhuna nё familje dhe dhuna nё shkolla, e shumё sfida tё tjera. Pёr tu përballur me kёto sfida, kërkohet ndërtimi i forcave profesionale tё zbatimit të ligjit. E ky ёshtё vetëm njëri nga  synimet e Qeverisë sё Kosovës dhe Ministrisë tё cilёn unё e drejtoj. Së bashku me ju, do ti adresojmë tё gjitha sfidat me tё cilat përballet Policia e Kosovёs. Pra, duhet të sigurohemi që askush të mos jetë mbi ligjin.

Prandaj, duhet shumë punë që Policia e Kosovës të jetë transparente, profesionale dhe me integritet. Ne duhet të sigurohemi që rregullat zbatohen për të gjithë dhe se zyrtarët policor që bien në kundërshtim me ligjin, hetohen dhe ndëshkohen. Por, në të njëjtën kohë duhet të sigurohemi që  policia i ka të gjitha kapacitetet e nevojshme për të kryer punën e tyre si duhet.

Ne jemi të përkushtuar, që të krijojmë kushtet mё tё mira tё punёs pёr Policinë e Kosovës në luftimin e krimit, duke bёrё ndryshimet e nevojshme ligjore e miratimin e ligjeve tё reja, duke investuar nё infrastrukturë, pajisje dhe investim nё flotën e policisë, por do tё kërkojmë edhe rezultate konkrete nё luftë kundër krimit korrupsionit, dhe forcim tё integritetit policor brenda PK-sё.

Presim rezultate konkrete nё luftimin e krimit dhe rritjen e sigurisë publike, në  parandalimin e dhunёs nё shkolla, dhunёs nё familje dhe dhunёs ndaj grave.

Nё koordinim tё ngushtë me PK-nё, MPJ-nё e partnerët tanë ndërkombëtarë, do tё punojmë nё forcimin e bashkëpunimit tё PK-sё nё organizatat ku ёshtё anëtare me tё drejta tё plota apo tё kufizuara, si dhe do tё rrisim përpjekjet tona pёr anëtarësim nё organizatat tjera ndërkombëtare sidomos nё Interpol. Kjo do ta ndihmojë PK-nё nё luftimin e kërcënimeve dhe rreziqeve tё sigurisë sё vendit.

Ne do të udhëhiqemi nga parimi i mbrojtjes së jetës së qytetarit, rendit dhe qetësisë publike, në mbrojtje të të drejtave dhe lirive të  njeriut, të trajtimit në mënyrë të barabartë të gjithë qytetarëve pa dallim.

Në Policinë e Kosovës nuk duhet të ketë vend për krim e korrupsion. Për këtë do të keni mbështetjen time të pa rezervë, që bashkë të bëjmë një Polici shembull në rajon dhe më gjerë, që ofron zbatimin e ligjit në Kosovë në mënyrë profesionale, efektive dhe që ofron rend e siguri për qytetarët.

 

Faleminderit!