Ministria e Punëve të Brendshme filloi ndarjen e patentë-shoferëve ndërkombëtarë

Prishtinë

Agjencia për Regjistrim Civil e Ministrisë së Punëve të Brendshme, sot edhe zyrtarisht ka filluar të ndajë patentë-shoferët ndërkombëtarë.

Në ceremoninë e shpërndarjes morën pjesë: z. Bajram Gecaj, shefi i Kabinetit të Ministrit të Punëve të Brendshme dhe drejtori i përgjithshëm i Agjencisë për Regjistrim Civil(ARC), z. Bekim Hoxha.

Me këtë rast shefi i kabinetit, z. Bajram Gecaj, theksoi se me aktin e sotëm të shpërndarjes së patentë-shoferëve ndërkombëtarë, po tregojmë përkushtimin dhe avancimin e ARC-së dhe MPB-së në përmirësimin e shërbimeve për qytetarët e Kosovës.

Ai tha se ky patentë-shoferë do të ju hyjë në punë qytetarëve në disa shtete, deri në njohjen ndërkombëtare të Patentë-shoferëve sipas konventës ndërkombëtare, për të cilin për ta realizuar Republika e Kosovës duhet të jetë pjesë e OKB-së.

“Ne jemi duke bërë përpjekje individuale me shtet ku e kemi të koncentruar komunitetin tonë, si me Italinë, Gjermaninë dhe Austrinë, për të arritur marrëveshje individuale me këto shtete për njohje të patentë-shoferëve të Republikës së Kosovës, në mënyrë që ju mundësojmë diasporës tonë që të kenë qasje më të leha në këto shtete me dokumente të Kosovës”, Gecaj.

Ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i ARC-së, Bekim Hoxha, vuri në dukje se me aktin e sotëm po tregohet një vazhdimësi e përmirësimit të shërbimeve për qytetarët e Kosovës dhe ndarja e patentë-shoferit ndërkombëtarë është në trendet ARC-së dhe MPB-së në përmirësimin e shërbimeve për qytetarët e Kosovës.

Ai tha se prej njoftimit për fillimin e prodhimit të patentë-shoferëve ndërkombëtare, deri më tani rreth 500 qytetarë kanë aplikuar për tu pajisur më këtë dokument.

Në fund Hoxha ka thënë se në kuadër të lehtësimit të shërbimeve për qytetarët e Kosovës, nga java e ardhshme do të fillojnë shërbimet për vulat apostile edhe në disa qytete tjera të Kosovës dhe nuk do të jetë e koncentruar vetëm në Prishtinë.