Më poshtë gjeni dedikimin e ministrit të Punëve të Brendshme z. Agim Veliu, në kujtim të sulmit më të madh terrorist në historinë amerikane.
Prishtinë
Më poshtë gjeni dedikimin e ministrit të Punëve të Brendshme z. Agim Veliu, në kujtim të sulmit më të madh terrorist në historinë amerikane.
“Sot,
populli amerikan bashkohet për të kujtuar e për të nderuar viktimat, si dhe për
të falënderuar e lartësuar të gjithë ata që i shërbyen vendit të tyre në ato
raste tragjike për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të njerëzimit ne
tërësinë e tij. Përkujtimi jonë është vetëm një shkëndijë e vogël në flakën e
krenarisë që digjet në gjithë botën sot dhe çdo ditë.
Ky është rasti dhe mënyra për të nderuar dhe përkujtuar viktimat dhe ata që
bënë sakrificën e fundit, por në të njëjtën kohë për të falënderuar
zemërgjerësinë e popullit dhe qeverisë amerikane ndaj Republikës së Kosovës.
“The Patriot Day”, e njohur zyrtarisht si Dita Kombëtare e Shërbimit dhe
Përkujtimit, shënohet çdo vit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për nder të
viktimave që humbën jetën nga sulmet terroriste të 11 Shtatorit 2001. Edhe pse
tanimë kanë kaluar 19 vite nga ato sulme terroriste, ajo ditë tragjike, që
shërbeu edhe si një provë e frymës dhe shpirtit amerikan, do të kujtohet
përgjithmonë.
Sot, të bashkuar ashtu si ditën e sulmeve terroriste, në mbarë botën
përkujtohen në shenjë nderimi e respekti të gjitha viktimat e 11 shtatorit por
edhe viktimat e terrorizmit në mbarë botën.
Që nga ngjarjet e 11 shtatorit, bota vërtetë ka ndryshuar dhe i është adaptuar
rrethanave të reja të një lufte të pa-kompromis ndaj një të keqeje të
përgjithshme. Megjithatë, falë unitetit dhe bashkëpunimit ndërkombëtarë, nën
lidershipin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është arritur të ruhet fryma
dhe vlerat e lirisë, të pavarësisë e të demokracisë.
Kjo frymë dhe këto vlera duhet dhe do të vazhdojnë të mbesin baza dhe
strumbullari ynë i përbashkët, për sot e për nesër.
Republika e Kosovës qëndron pa lëkundur pranë Shteteve të Bashkuara të Amerikës
në luftën kundër terrorizmit dhe dukurive tjera devijuese në shoqërinë globale.
Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë çdo herë pranë Shteteve të Bashkuara të
Amerikës, në dhe për mbrojtjen e frymës dhe vlerave që janë themeli i shoqërive
të civilizuara bashkëkohore.”