Ministri Veliu vizitoi komunën e Gjilanit

Prishtinë

Ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, z.Agim Veliu, sot ka vizituar komunën e Gjilanit  ku u prit nga kryetari i kësaj komune, z. Lutfi Haziri. Temë kryesore në  këtë vizitë ishte menaxhimi i situatës së shkaktuar nga pandemia me COVID-19 në këtë komunë.

Më këtë rast, ministri Veliu u shpreh i kënaqur dhe përgëzoi kryetarin Haziri dhe Shtabin Emergjent të Gjilanit për menaxhimin e suksesshëm të kësaj situate të rënduar tash e sa muaj. Gjatë kësaj vizite Ministri Veliu shprehi ngushëllimet e tij të gjitha familjeve të kësaj komune, të cilët kanë humbur anëtarët e tyre si pasojë e infektimit me COVID-19.

Tema të tjera që u diskutuan në këtë takim ishin edhe çështja e menaxhimit të emergjencave, reformave në administratën publike dhe çështja e stacionit rajonal të Policisë në Gjilan. “Ne u dakorduam që sa më shpejt Stacionit të Policisë në Gjilan të iu sigurohen hapësirat e nevojshme për punë dhe besoj se me parashikimet e buxhetit për vitin e ardhshëm, kjo çështje do të rregullohet”, theksoi ministri Veliu.    

Fillimi i vitit të ri shkollor ishte po ashtu temë diskutimi në takimin në mes ministrit Veliu dhe kryetarit Haziri, ku u tha që pritet të jetë një fillim i mbarë i vitit shkollor dhe u shprehën të bindur se komuna e Gjilanit do të zbatojë të gjitha kërkesat e mundshme për mbarëvajtjen normale të mësimit.